Loriana Kuka ishte garuesja e fundit që garoi sot në Kampionatin Botëror të xhudos, që po mbahet në Tashkent të Uzbekistanit.
Kuka, që në vitin 2019 kishte fituar medaljen e bronztë botërore, shënoi një fitore, për t’u ndalur në rrethin e tretë, pas diskualifikimit që mori nga gjyqtarët, për shkak të rënies me kokë në tatami gjatë aksionit, kategoria -78 kg.
Njësoj ishte diskualifikuar edhe Laura Fazliu të dielën (-63 kg), në rrethin e parë. Fat nuk kishte as Flaka Loxha (-57 kg) që u ndal po ashtu në luftën e parë.
Sidoqoftë, as ky Botëror nuk u mbyll pa sukses për ekipin e Kosovës që fitoi medaljen e bronztë me kampionen olimpike, Distria Krasniqi, kategoria -52 kg./btvnews.al