Një e treta e ekonomisë botërore mund të bjerë në recesion deri në vitin 2023, thuhet në parashikimin e ri të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Parashikimi është me notën më të dobët si asnjëherë më parë në rreth 20 vitet e fundit – me përjashtim të parashikimeve gjatë pandemisë dhe krizës botërore financiare.
Si arësye kryesore FMN përmend rritjen e vrullshme të çmimeve që pas sulmit rus ndaj Ukrainës, gjë që ka kufizuar dukshëm aftësinë blerëse. Ekonomia botërore ndodhet përpara sfidash gjigante, sepse inflacioni është më i zgjatur nga sa mendohej e edhe Kina po e humbet aftësinë blerëse. “Më e keqja pritet të vijë dhe shumë njerëz më 2023 do të kenë ndijesinë e një recesioni”, thotë ekonomisti i FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas.
Në përgjithësi FMN-ja e ka ulur sërish parashikimin për 2023. Sipas raportit të fundit ekonomia botërore do të rritet me vetëm 2,7 përqind, në korrik priten 2,9 përqind. Për vitin në vazhdim 2022 llogaritet një plus prej 3,2 përqind. Kundrejt vitit 2021 me një rritje 6,0 përqind, kuota aktuale është e zbehtë.
Rajonet më të rëndësishme ekonomike po dobësohenEuropa është veçanërisht e prekur nga lufta në Ukrainë. Çmimet e gazit që nga viti 2021 janë katërfishuar. Në SHBA konsumi nuk po i jep më impulse si zakonisht ekonomisë dhe në Kinë kanë efekt negativ kufizimet prej Coronës si dhe tensionet në tregun e imobiljeve.Kur do të marrë fund inflacioni?
FMN parashikon që inflacioni ndërkohë në shumë vende është në nivelin më të lartë prej disa dekadashdhe në fund të 2022 do të arrijë kulmin. Por ai do të vazhdojë të mbetet në nivel dukshëm të lartë. Në mbarë botën çmimet e konsumit do të rriten me 8,8 përqind dhe në 2023 me rreth 6,5 përqind. Kësisoj parashikimet e deritanishme sërish do të korrigjohen me shifra në rritje. Më 2024 pritet një rritje e çmimeve me 4,1 përqind. Vendet në ekspansion dhe ato në zhvillim do të preken më rëndë se vendet e industrializuara. Për to forcimi i dollarit, aktualisht në nivelin më të lartë prej dy dekadash është një problem i madh.
Në fokus janë aktualisht edhe bankat e rezervave, që së fundi po përpiqen t’i rrisin ndjeshëm interesat për të arritur një zhvillim të qendrueshëm të çmimeve. Sipas FMN-së kjo politikë mund të ketë pasoja, sepse rritja e interesave mund t’i zerë frymën rritjes ekonomike, ndërsa ngurrimi për rritjen e interesave nuk mund ta frenojë inflacionin.
Ekonomia e Rusisë po tkurret më pak nga sa ishte menduar
Një tjetër rezultat i raportit vjetor është, se ekonomia ruse ndonëse do të ketë tkurrje sivjet dhe vitin e ardhshëm, rënia e saj do të jetë më e ulët nga sa ishte parashikuar. Sipas këtij raporti produkti bruto në vend i Rusisë më 2022 do të bjerë me 3,4 përqind dhe më 2023 me 2,3 përqind. Efekti i sanksioneve të Perëndimit ndihet pak në sektorin financiar të Rusisë. Edhe tregu i punës është rezistent, sipas FMN-së.
Ngadalësim në tri ekonomitë më të mëdha
Qysh përpara prezantimit të raportit vjetor shefja e FMN-së, Kristalina Georgieva, kishte bërë të qartë, se parashikimet për koniunkturën janë ulur. Edhe ajo thekson, se gjendja mund të përkeqësohet edhe më tej, përpara se të nisë përmirësimi. Në sfondin e luftës ruse në Ukrainë dhe të pandemisë pasiguria është ekstremisht e lartë. Mund të ketë më shumë shok ekonomik. “Ne shohim ngadalësim në tri ekonomitë më të rëndësishme në botë”, tërhoqi vëmendjen Georgieva në hapje të mbledhjes vjetore të Bankës Botërore në Uashington. Dobësimi i rritjes ekonomike në SHBA, Kinë dhe në Eurozonë ka pasoja të ndjeshme ndaj ekonomisë botërore./DW