E premte, 29 Nëntor, 2024

“Duam të hamë, jo gënjeshtra”/ Protestë e rrallë në Kinë kundër liderit të shtetit, autoritetet ndërhyjnë me shpejtësi dhe…

Një protestë e rrallë është mbajtur të enjten në Pekin kundër presidentit kinez, Xi Jinping dhe kufizimeve kundër pandemisë së koronavirusit.

Protesta është mbajtur disa ditë para Kongresit historik të Partisë Komuniste.

Në disa pamje janë parë mbishkrime të ndryshme në veriperëndim të qytetit.

Në to është thënë: “Jo testeve për koronavirus, duam të hamë. Jo kufizime, ne duam liri. Jo gënjeshtra, ne duam dinjitet. Jo Revolucion kulturor, ne duam reforma. Jo liderë, ne duam votime. Duke mos qenë skllevër, ne mund të jemi qytetarë”.

Në disa të tjera u është bërë thirrje qytetarëve “të mbajnë greva në shkolla dhe vendet e punës, për të hequr nga pushteti diktatorin dhe tradhtarin e kombit, Xi Jinping”.

Protesta besohet se është ndalur shpejt nga autoritetet.

Autoritetet kanë rritur sigurinë në qytet, kanë izoluar shumë udhëtarë, dhe shumë të tjerë u janë nënshtruar karantinës.

Masa të tilla janë të zakonshme në Kinë, pak para mbajtjes së ngjarjeve të rëndësishme.

Kongresit i 20-të i Partisë Komuniste pritet të nisë të dielën, me 2.300 pjesëmarrës.

Lideri kinez, Xi Jinping pritet të fitojë një mandat të tretë.

Ky Kongres mbahet çdo pesë vjet.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Partia Komuniste ia ka shtruar rrugën Xi-së që të mbetet lider partiak për pothuajse gjithë jetën e tij.

Përmes një “rezolute historike”, Komiteti Qendror ka vlerësuar se është shumë e rëndësishme që partia të ruajë “rolin e Xi-së në thelb të partisë”.  /REL

Artikuj te ngjashem

Me te fundit