Më shumë se 150 fermerë, mes tyre 2 nga Zerqani e 2 nga Ostreni, morën pjesë sot në panairin e zhvilluar në Bulevardin Elez Isufi të qytetit të Peshkopisë. Panairi i përvitshëm i quajtur “Festa e të vjelave” promovon prodhimet vendase. Panairi u jep mundësinë jo vetëm vendasve por edhe turistëve të shumtë të ardhur për llixha, për tu njohur me produktet natyrale të Dibrës.
Në panair dominojnë mollët e famshme të Dibrës, patatet, arrat, lajthitë, rrushi, frutat e thata, rakia etj.
Fermerët shprehen se megjithëse ka qenë vit i vështirë, prodhimi ka qenë i mbarë. Dibra ka super prodhim në këto kultura, por problem mbetet tregu. Ato shprehen se ka rënie të fuqisë blerëse dhe tregu vendas nuk ka kapacitete për të absorbuar të gjitha. Shumica e mollëve nuk shiten dhe për pasojë duhet të hidhen, kjo edhe për shkak të largësisë nga Tirana. Ndërtimi dhe hapja e rrugës së Arbrit do të ndihmonte në daljen më të shpejtë në treg. Në këto kushte një pjesë e madhe e fermerëve kanë zgjedhur ti presin pemtoret, pasi për çdo vit dalin me humbje
Fermerët tregojnë se Ministria e Bujqësisë nuk ka hartuar politika për ti ndihmuar për të garantuar tregun, apo për ti mbështetur me subvensione. Subvencionimi i naftës është shumë i mirë por i pa mjaftueshëm, pasi 10 litra për dynym nuk janë asgjë për numrin e punimeve që ato kryejnë.
Kryetari i Bashkisë Dibër z. Rahim Spahiu shprehet i kënaqur me prodhimet e fermerëve Dibranë. Mbështetja e qeverisë me naftën ju ka ardhur sado pak në ndihmë, ndërsa në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës do të ndërtohet një treg në Tiranë me qëllim që prodhuesit ta kenë më të lehtë tregun./btvnews.al