Satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” që do të monitorojnë Shqipërinë në hapësirë janë gati për t’u lëshuar nga Kennedy Space Centre në Florida të SHBA, kështu ka njoftuar mëngjesin e sotëm Kryeministri Edi Rama.
Në një njoftim në mediat sociale, Rama shkruan se nga këta dy satelitë do të mbahet nën kontroll territori.
“Gati për t’u lëshuar në hapësirë nga Kennedy Space Centre në Florida të SHBA, dy sytë superteknologjikë që do të monitorojnë Shqipërinë nga lartësitë, me një precizion të lartë dhe qartësi të plotë figure deri në 75 cm2, satelitët e “ALBANIA 1” dhe “ALBANIA2”.
Shqipëria do të ketë përdorim ekskluziv të tyre, për përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS) si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj, e një sërë institucioneve e subjekteve, publike ose private, puna e të cilave lidhet me territorin, ujërat, pyjet, zjarret, mbetjet urbane, prodhimin, zhvillimin urban, titujt e pronësisë, e me radhë”.
Sipas planit këta dy satelitë do të marrin informacion gjeohapësinor dhe do të ofrojnë imazhe duke nisur nga ujërat, zjarret apo edhe titujt e pronësisë./btvnews.al