Rikthehen provimet për pranimet në Universitetin e Mjekësisë. Rektori Arben Gjata në një intervsitë për Klan thotë se ky vendim i propozuar nga Universiteti i Mjekësisë erdhi si pasojë e rezultateve të dobëta të studentëve në vit të parë duke lënë dyshime për nota fiktive në gjimnaz.
“Ne kemi vite që e kemi dashur këtë nismë nga ato rezultate që kemi parë, diferenca mes notës me të cilën pranohen një pjesë e studentëve dhe rezultatet e vitit të parë. Me idenë që bashkë me Universitetin e Kembrixhit të diskutojmë si do hartohej teksti të ishte i formatizuar që të mos kishte ndërhyrje njerëzore, dhe së fundimi me MAS kemi rënë dakord që vitin tjetër ta fillojmë vetem me mjekësinë si projekt pilot për pranimet në universitet.”
Fondi i pyetjeve për nxënësit që përfundojnë këtë vit shkollor do të bëhet publike deri në Dhjetor në faqen online të QSHA.
“Do bëhen disa teste që do të përgatiten nga mësuesit më të mirë në gjimnaze për fizikë, kimi dhe biologji, që do përgatisin pyetjet me shkallë të ndryshme vështirësie dhe do trajnohen nga specialist të Kembrixhit. Deri në fund të Dhjetorit, fondi i pyetjeve do të jetë online në faqen e QSHA. Ata që do të aPlikojnë për mjekësi ne do të çojmë listat në QSHA dhe në fillim të Gushtit do t’i nënshtrohen provimit në mënyrë të formatizuar.”
30 % është pesha e testimit për maturanët që do të zgjedhin degën e mjekësisë.
“Testi do të jetë i vlefshëm vetëm për 30 % të pikëve. 70 % do i mbetet notes dhe formulës që kemi aktuale. Testimi do të ketë 100 pikë.”
Rektori Arben Gjata thotë se në vitet në vijim synohet që provimit të nënshtrohen të gjithë maturanët që zgjedhin degët e Universitetit të Mjekësisë, përfshirë edhe infermierinë. Si dhe të rritet pesha e testimit duke kapur vlerën 50 %./Tv Klan