Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se ka zhvilluar një bisedë serioze dhe të përgjegjshme dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, lidhur me çështjet e hapura në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Pas takimit me Lajçakun, Vuçiç ka përsëritur se Serbia insiston në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Një bisedë serioze dhe e përgjegjshme me Mirosllav Lajçak mbi çështjet e hapura në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Ne do të vazhdojmë të luftojmë që ta ruajmë shtetin dhe popullin tonë, duke insistuar në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe në respektimin e ligjit ndërkombëtar”, ka shkruar Vuçiç në një postim në Instagram.
Lajçak vizitoi Beogradi katër ditë pasi qëndroi në Prishtinë, ku u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Pas atij takimi është thënë se përshkallëzimi nuk është në interesin e askujt.
Lajçak u ka thënë gazetarëve në Prishtinë se me kryeministrin Kurti kanë diskutuar disa tema, përfshirë atë të riregjistrimit të veturave me targa serbe në RKS (Republika e Kosovës).
Ai ka përmendur se afati për riregjistrim skadon më 31 tetor dhe se bashkësia ndërkombëtare dëshiron të dijë se cilat janë planet në këtë drejtim.
Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.
Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.
Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.
Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.
Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./REL