E premte, 29 Nëntor, 2024

“Mos ndiqni urdhrat kriminale të regjimit”/ Analiza e The Times: Putin po përdor Bjellorusinë për hapjen e një fronti të ri

Presidenti rus Vladimir Putin mund të jetë duke përdorur Bjellorusinë për të rivitalizuar sulmet ruse në Ukrainë.

The Times raporton se lideri bjellorus Alexander Lukashenko, tha javën e kaluar se vendi i tij dhe Rusia do të formojnë një forcë të përbashkët kufitare kundër atyre që ai pretendonte se ishin kërcënime nga Ukraina dhe NATO.

Rusia që atëherë ka vendosur 9,000 trupa në kufirin me Bjellorusinë, i cili është 145 milje nga Kievi.

Lukashenko tha se ushtria bjelloruse prej rreth 60,000 ushtarësh, përfshirë rekrutët, do të ishin bërthama forcës ushtarake.

Kjo lëvizje ka nxitur frikën se Putini mund të jetë duke kërkuar të hapë një front të ri në luftën gati tetë mujore, ndërkohë që po përballet me një rezistencë të fortë nga ana e Kievit.

Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky ka bërë thirrje që OKB të vendoset në kufirin me Bjellorusinë për të parandaluar një sulm tjetër në Kiev.

“Lukashenko dhe Putin po e tërheqin Bjellorusinë në një luftë të plotë kundër Ukrainës”, tha Svetlana Tikhanovskaya, liderja e opozitës bjelloruse.

Ajo e quajti vendosjen e trupave ruse në Bjellorusi, pushtim.

“Mos ndiqni urdhrat kriminale të regjimit. Refuzoni të merrni pjesë në luftën e Putinit”.,” tha Tikhanovskaya në një mesazh drejtuar ushtrisë bjelloruse.

Moska ka thënë se do të pajisë avionët luftarakë bjelloruse Su-25 me aftësinë për të gjuajtur raketa bërthamore. Bjellorusia nuk ka arsenalin e vet bërthamor. Bjellorusia dhe Rusia kanë qenë pjesë e një aleance të shtetit të Bashkimit që nga viti 1999, megjithëse Lukashenko i ka rezistuar përpjekjeve të Moskës për ta çuar më tej këtë gjë.

Ai e ka lejuar Rusinë të përdorë vendin e tij për të lëshuar raketa në Ukrainë, por ka hezituar të përfshijë ushtrinë e tij drejtpërdrejt në luftime.

Lukashenko tha pak ditë më parë se vendi i tij mbështeti Rusinë në luftë, por se qytetarët e tij as nuk kishin vrarë e as nuk do të vrisnin askënd.

Ai këmbënguli se forca kufitare ishte tërësisht mbrojtëse në natyrë.

Megjithatë, regjimi bjellorus mbështetet shumë tek Rusia për mbështetjen ekonomike dhe ushtarake dhe analistët thonë se Lukashenko, i cili ka sunduar Bjellorusinë që nga viti 1994, do të ishte i vështirë të refuzonte një “kërkesë” të drejtpërdrejtë nga Moska për të hyrë në konflikt.

Huatë të mëdha dhe mbështetje të tjera nga Kremlini e ndihmuan Lukashenkon të shpërbënte protestat e përhapura kundër sundimit të tij në vitin 2020. /The Times

Artikuj te ngjashem

Me te fundit