“Oda Dibrane” e përmbylli edicionin e saj të 28-të në mënyrë dinjitoze, ashtu siç i ka hije këtij festivali që bashkon trevat shqipfolëse anembanë, ruan, pasuron e promovon trashëgiminë e çmuar kulturore-artistike mbarëkombëtare.
Edicionin e 28 e çeli i zoti i shtëpisë, kryetari i Bashkisë Dibër z. Rahim Spahiu, i cili vlerësoi dhe falenderoi grupet pjesëmarrëse.
Për tre netë me radhë, 14 ansamblet dhe grupet konkurente nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, sollën elementë unik të folklorit të krahinave nga ata vinin si këngë, valle, kostume të larmishme, rite e lojëra të ndryshme popullore! Oda Dibrane do të jetë përherë burim tradite e mikpritjeje!
Oda Dibrane është festivali folklorik më i madh që zhvillohet në trevat Shqiptare . Në këtë festival marrin pjesë grupe dhe shoqëri folklorike nga të gjitha trevat shqipfolëse ,dhe nga shtete të ndryshme . Këtë vit performuan 14 grupe me rreth 500 artistë të cilët gjallëruan rrugët e Peshkopisë dhe Dibrës së Madhe për tre ditë me rradhë .
Ky festival është i veçantë pasi mbahet në dy shtete.
Në Peshkopi (Shqipëri) dhe në Dibër të madhe në (Maqedoni e Veriut).
Ilir Shaqiri kryetari i Jurisë , tregon për arritjet e Odës Dibrane dhe sot numëron 28 vite. Ai ka qenë ndër ideatorët e Odës Dibrane që nga fillimet e saj dhe pjesëmarrës në shumë nga edicionet e saj .
Koreografi i Ansamblit Lidhja e Prizrenit Jeton Qafleshi anëtar i Jurisë , vlerëson prurjet e reja nga grupet konkuruese , pjesëmarrjen e të rinjve dhe kostumografinë e larmishme .
Ky festival që nga krijimi ka menduar të risjellë në kohë folklorin e bukur , ritin , alegorinë , këngën alegorike të trevave apo zonave nga vijnë artistët , dhe këtë qëllim e ka arritur më së miri , duke i qëndruar peshës së kohës , ai sot është në vitin e 28.
Drejtori i këtij festivali Veli Vraniçi ( Mjeshtër i madh) thotë se janë kriteret strikte që Oda Dibrane ka vendosur nga fillimi që e kanë mbajtur , por edhe grupet e përzgjedhura me kujdes kanë bërë që publiku ta mbështesë maksimalisht.Mbrëmja finale e “Odës Dibrane” e tejmbushi me spektatorë dibranë, personalitete, artistë e miq, sallën e Pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli”, dhe kulmoi me momentin më emocionues, ndarjen e çmimeve, ku juria profesioniste ndau disa mirnjohje për artistë, valltarë, për elementet më të bukur. Juria shpalli fitues Shoqërinë Kulturore Artistike “Malësori” nga Kosova, për prezantim fantastik e të kompletuar! /btvnews.al