E hënë, 25 Nëntor, 2024

 Rama rrezikon rikthimin e vizave për shqiptarët, 12 vite pas liberalizimit nga qeveria Berisha dhe PD. Shqiptarët të ngrihen në protesta.

Zëdhënësja e PD, Floriana Garo në një deklaratë për mediat tha se lëvizja pa viza është e një rëndësie të veçantë për shqiptarët dhe kjo kërkesë e Çekisë sipas saj është një motiv më shumë që shqiptarët të protestojnë.

Reagimi i Partise Demokratike erdhi pasi Çekia kërkoi heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Serbinë pasi ato janë një urë kaluese për emigrantët e botës së tretë.

Deklaratë e Partisë Demokratike, zëdhënësja e PD, Floriana Garo

Çekia, vendi që mban Presidencën e BE deri në fund të vitit, ka kërkuar që Shqipërisë bashkë me Serbinë, t’u kthehet regjimi i vizave. Domethënë që qytetarët shqiptarë të kërkojnë vizë për të lëvizur në Bashkimin Europan, siç bënin para vitit 2010, kur qeveria Berisha e Partisë Demokratike liberalizoi vizat.

Kërkesa ka ardhur pas vonesave dhe mospajtimit absurd të qeverisë Rama për të mos njësuar kriteret e vizave për shtetasit e vendeve të treta me BE, çka u mundëson nacionaliteteve të ndryshme të përdorin Shqipërinë si portë hyrëse në vendet e Bashkimit Europian.

Partia Demokratike e dënon me ashpërsi këtë praktikë, që ka të bëjë fund e krye me trafiqe mafioze njerëzore të organizuara dhe pista të korrupsionit.

Vendimi e fut Shqipërinë në hartën e vendeve problematike dhe i ekspozon qytetarët shqiptarë ndaj qëndrimeve jodashamirëse në aeroportet e Europës.

Politika e portave të shqyera, jo vetëm ushtron trysni mbi sistemin e emigracionit të Bashkimit Europian, por është një risk për sigurinë, si për Shqipërinë ashtu dhe për vendet e BE.

Partia Demokratike, si forca që liberalizoi vizat i kërkon BE të ushtrojë presion mbi qeverinë Rama që të bëhet menjëherë përputhja e kritereve për viza me Shqipërinë. Lëvizja e lirë është e një rëndësie të jashtëzakonshme, dhe është arritur pas një bllokimi thuajse 70 vjeçar të shqiptarëve.

Shqiptarëve u theksojmë se kjo është një tjetër arsye që të ngrihen në protesta. Një qeveri që e kthen mbrapsht orën e Shqipërisë është një rrezik kombëtar.  /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit