E diel, 24 Nëntor, 2024

VIDEO – Siguria në punë, Inspektoriati zhvillon takime me punëdhënësit në Dibër

Siguria në punë ka qenë ndër shtyllat kryesore ku duhej të fokusoheshin deri tani punëdhënësit, për të shmangur pasojat fatale që mund t’iu vijnë punëmarrësve gjatë procesit të punës. Por për Inspektoriatin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, kjo nuk është e mjaftueshme.

Ky inspektoriat ka nisur një fushatë sensibilizuese në të gjithë vendin, duke zhvilluar takime me drejtues apo përfaqësues të subjekteve shtetërore apo private. Këtë të martë takimi u zhvillua në Drejtorinë Rajonale të Qarqeve Dibër e Kukës.

Zëvendëskryeinspektorja e përgjithshme të këtij inspektoriati, Irida Qosja, tha se punëdhënësi duhet të mendojë më shumë që edhe pasi punëmarrësi të jetë larguar, të mos ketë pasoja në shëndet që i kanë ardhur si rezultat i punës që ka bërë, siç janë çrregullimet muskulo-skeletore.

Qosja shton më tej se për të minimizuar sa më shumë pasojat që vijnë në shëndetin e punëmarrësve si rezultat i punës që kanë bërë më parë, duhet një bashkëpunim mes aktorëve si subjektet shtetërore apo private, inspektoriatit të punës dhe Inspektoriatit Shëndetësor.

Për të ndërgjegjësuar sa më shumë subjektet private e ato shtetërore, Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka nisur një fushatë, ku takimin e radhës e zhvilloi me subjekte private e shtetërore në Qarkun Dibër./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit