Zyrtari i Listës Serbe, Ivan Todosijeviç, është dënuar të mërkurën me një vit burgim – në seancën e rigjykimit – për “përhapje të urrejtjes dhe jotolerancës”, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, avokati e tij, Nebojsha Vllajiq.
Todosijeviç pati deklaruar në mars të vitit 2019 se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.
Deklarata e tij përkonte me 20-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në caqet e ish-ushtrisë jugosllave – fushatë kjo që i dha fund luftës në Kosovë.
Ai në atë kohë mbante postin e ministrit të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, por u shkarkua nga kryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai është dënuar fillimisht me dy vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por Gjykata Supreme e Kosovës e pati kthyer rastin në rigjykim, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.
Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.
Vrasja e 45 civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare serbe në Reçak ishte cilësuar “krim kundër njerëzimit” nga ish-shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori, William Walker.
Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë në shkurt 2021, Todosijeviq mori mbështetjen e votuesve dhe u zgjodh një nga dhjetë deputetët e Listës Serbe.
Ai mban edhe pozitën e kryetarit të Zveçanit në kuadër të strukturave paralele serbe në Kosovë.
Atij i është shtyrë vuajtja e dënimit me burgim dy herë më 2021: herën e parë për shkak se “ishte jashtë vendit” dhe herën e dytë për “arsye shëndetësore”.
Todosijeviq është dashur të paraqitej për herë të parë, për të vuajtur dënimin me burgim, më 6 tetor 2021.
Në disa raste, Todosijeviq është “mbrojtur” nga Lista Serbe, e cila ka kërcënuar se do të japë dorëheqje nga institucionet, nëse ai merr dënim të plotfuqishëm.
Në mbrojtje të tij shpeshherë del edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai e ka përmendur Todosijeviqin edhe më 13 shtator, kur u ka folur deputetëve për dialogun me Kosovën.
“Dua t’ju kujtoj Ivan Todosijeviqin… i dënuar me dy vjet, sepse tha se Raçaku ishte mashtrim. Unë e thashë atë gjë po të njëjtën ditë. Dua të marr anën e lirisë së shprehjes së mendimit”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se serbët në Kosovë nuk e kanë lirinë e shprehjes, dhe se ata përballen me aktakuza “të fshehura apo publike”./REL/