E hënë, 25 Nëntor, 2024

Eliminatoret e Europianit U-17/ Shqipëria shkëlqen në debutim, përmbys Suedinë

Shqipëria U-17 ka bërë një paraqitje të shkëlqyer në debutimin e saj në eliminatoret e Kampionatit Europian 2023 për këtë grup-moshë, pasi mundi Suedinë me rezultatin 3-1 pas një dueli të luftuar plot emocione dhe gola.

Trajneri i përfaqësueses kuqezi e nisi sfidën me këtë formacion titullar: Dervishi, Avdullari, Bakiu, Kurti, Damini, Jaku, Belloj, Bode, Vranici, Selmani, Sulejmani. Ndeshja është e balancuar, por suedezët arrijnë të kalojnë të parët në avantazh në minutën e 14-të me anë të Allen Smajic pas një goditje nga këndi.

Gjithsesi, kuqezinjtë nuk demoralizohen, por vazhdojnë të këmbëngulin duke sulmuar dhe në minutën e 29-të arrijnë të gjejnë golin e barazimit me Dean Vranicin, që e dërgon topin në portë pas një goditje dënimi të ekzekutuar nga Bode.

Goli ka ndezur sfidën me të dyja skuadrat që përpiqen të thyejnë baraspeshën, por pjesa e parë mbyllet me shifrat e barabarta 1-1. Pjesa e dytë nis me të njëjtën tablo loje, me ekipet që nuk humbasin ekuilibrat në fushë. Kuqezinjtë krijojnë disa tentativa për shënim, por pa ia dalë mbanë, ndërsa trajneri Bulku vendos të freskojë forcat, duke hedhur në fushë Devi Duron në minutën e 62-të në vend të Bodes. Më pas në minutën e 71-të tekniku hedh n fushë Klaus Kasharin dhe Ergi Bastarin në vend të Glenis Bellojit dhe Davide Avdullarit.

Pa kaluar as dy minuta është Kashari i sapofutuar që gjen golin e avantazhin pas një asisti të Duros. Shqipëria U-17 kryeson 2-1, ndërkohë që nuk ka mbaruar këtu sepse në minutën e 81-të kuqezinjtë gjejnë edhe golin e sigurisë me Dean Vranicin që shfrytëzon më së miri pasimin e fundit të Kasharit, duke shënuar golin e 3-1.

Dygolësh personal në këtë sfidë për Vranicin, i cili bëhet protagonisti kryesor i kësaj fitoreje. Në minutat e mbetura Kombëtarja shqiptare menaxhon siç duhet situatat dhe pas 5 minutave shtesë gjyqtari kryesor Chrysovalantis Theouli vërshëllen për përfundimin e sfidës.

Sakaq, sfida është ndjekur edhe nga trajneri i Kombëtares A, Edoardo Reja, i cili kishte udhëtuar nga Italia enkas për të parë kuqezinjtë e vegjël në aksion në këtë premierë të kualifikueseve të Europianit.

Një fitore e madhe për Shqipërinë U-17 që merr kështu 3 pikë e para në Grupi 7 të kualifikueseve, ku përveç Suedisë, përballë do të ketë edhe Kroacinë dhe Uellsin me ndeshjet e grupit që luhen të gjitha në qytetin e Novigradit në Kroaci. Pas ndeshjes me Suedinë, kuqezinjtë do të përballen me Kroacinë më 23 tetor në ora 13:00, ndërsa sfida e fundit do të jetë ajo ndaj Uellsit më 26 tetor, po në ora 13:00.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit