E hënë, 25 Nëntor, 2024

Investigimi/ Qukës-Qafe Plloçë, rruga 255 mln dollarë që nuk përfundon kurrë. Qeveria mori hua edhe 56 mln të tjera! Çfarë zbuloi raporti i KLSH

Qukës-Qafe PlloçëNË SHËNJESTËR/ Nëse ka një rrugë, ku shprehja ‘rrugë e mbetur rrugëve’, gjen kuptim, kjo shprehje i takon pikërisht një prej rrugëve që duket se është lodhur duke u endur rrugëve pa gjetur zgjidhje.

Duket si një lojë fjalësh, por në fakt kjo është historia e rrugës Qukës-Qafë Plloçë.

Rrugë e papërfunduar, e cila nis në fshatin Qukës në Librazhd dhe përfundon në Qafë Plloçë në malësitë e Mokrës në Pogradec.

Aks me dy korsi, i gjatë 43.5 km, që ishte menduar të afronte më shpejt juglindjen e vendit, qytetin e Korçës me kryeqendrën e vendit.

I nisur prej më shumë se 13 vitesh, por që sot meriton të quhet me plot gojën, jo vetëm rruga me rekordin negativ më të zgjatur të punimeve në Evropë, por me siguri edhe në botë.

Por po kështu edhe më e shtrenjta e të gjithë kohërave në Shqipëri, për kilometrat e saj. Pavarësisht terrenit malor ku kalon.

Kjo, për fondet e shumta që ka ngrënë kohë pas kohe dhe që pavarësisht parave të pafundme që janë alokuar për ta mbyllur, rruga vazhdon të jetë aty, e papërfunduar.

Rrugë që me përfundimin e saj sipas një raport auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit, plot 255 milionë dollarë, apo thënë ndryshe, trefishi i kostos fillestare të projektimit.

Si asnjë rrugë tjetër më parë!

Ndërkohë që afati i fundit i përcaktuar nga qeveria për ta marrë në dorëzim veprën, ishte caktuar të ishte viti 2018.

Ing. Spartak Targaj

“Në studimin e fizibilitetit, objekteve të tilla të infrastrukturës rrugore natyrisht dhe normalisht që iu përcaktohet si variantet që mund të ndërtohet kjo rrugë, por edhe vlera e përafërt për variantin që do të miratohet. Në studimin e fizibilitetit përcaktohen 2-3 variante për gjurmët ku do të kalojë një rrugë që është parashikuar për t’u zbatuar dhe natyrisht që përcaktohet dhe fondi fillestar për zbatimin e kësaj rruge”.

Por ku kanë kaluar 4 vite nga ky afat, përfundimi i rrugës nuk duket asgjëkundi në horizont.

Dhe këtë konstatim nuk e bëjnë vetëm drejtuesit e mjeteve që nuk kanë marrë në dorëzim rrugën, por edhe një audit i kryer së fundmi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që vë në dukje jo vetëm shkeljen e skajshme të afatit të dorëzimit të veprës, por edhe shumë problematika të tjera që e përcaktojnë këtë rrugë si një skandal të radhës.

Duke iu atashuar rrugëve të tjera me fatura të kripura.

Raporti i Auditit, Kontrolli i Lartë i Shtetit

“Nga evidencat e marra mbi veprimtarinë e projektit rezulton se projekti ka kapërcyer afatet e parashikuara për përfundimin e tij.

Projekti duhet të përfundonte në vitin 2018, ndërkohë që deri në fund të muajit dhjetor 2021, nuk është realizuar më shumë se 81 përqind e disbursimeve.

Referuar ndryshimeve të miratuara deri në momentin e auditimit dhe ato në proces miratimi, kosto e projektit rritet me vlerë mbi 105 milionë USD nga kontratat fillestare, vlerë e cila pritet të rritet deri në përfundim të projektit duke shkuar rreth 255 milionë USD, duke i kushtuar shumë buxhetit të shtetit në investimet me financime të huaja”.

Por çfarë po ndodh me rrugën Qukës-Qafë Plloçë?

Cila është historia e kësaj rruge?

Përse përfundimi i kësaj vepre është shtyrë kaq shumë në kohë?

Dhe përse kjo rrugë pavarësisht kushteve të terrenit, pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit, 255 milionë dollarë, si asnjë rrugë tjetër me këtë distancë kilometrash.

Ing. Spartak Targaj

“Normalisht ka një zgjatje të madhe të ndërtimit të kësaj rruge, përfundimit, por kushtet janë disi specifike pasi kjo rrugë kalon në një terren malor, është rrugë e re, nuk ka pasur gjurmë të mëparshme të kësaj rruge, është e gjitha e re dhe hartimi i projektit i kësaj rruge ka hasur disa vështirësi apo pengesa që kanë dalë gjatë kohës që ka filluar zbatimi i kësaj rruge. Pasi duke qenë se terreni është malor, rruga ishte tërësisht e re, projektuesit e kanë pasur të vështirë për të bërë sondazhet, për të përcaktuar karakterin gjeologjik ku do të shtrihet kjo rrugë. Këto pengesa janë hasur dhe gjatë zbatimit të këtij projekti, prandaj dhe projekti ka pasur ndalesa dhe vonesa të herë pas hershme”.

Për të kuptuar se përse kjo rrugë është kthyer në një lubi që ha kohë pas kohe paratë e buxhetit të shtetit, na vjen edhe njëherë në ndihmë raporti i auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Raport që nxin në rreshtat e tij, dhe nuk le ekuivoke, duke na dhënë një panoramë më të qartë se çfarë po ndodh në rrugën Qukës-Qafë Plloçë.

Sipas këtij raporti auditimi të siguruar ‘Në shënjestër’, problemi i parë me këtë rrugë nis që në projektzbatimin origjinal që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit ka mangësi të theksuara, çka ka çuar edhe në rritjen e konsiderueshme të kostos dhe njëkohësisht edhe faturës aktuale të veprës, pa llogaritur apo menduar se sa do të shkojë kjo faturë deri në përfundim të punimeve.

Raporti i Auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit

“Vonesa në përfundimin e veprës infrastrukturore, ka ardhur si pasojë e mungesës sё financimit si dhe i problematikave në fazën e realizimit të projektzbatimit, i cili ka rezultuar me mangësi të theksuara, si dhe nga vonesa në miratimin e ndryshimeve të projektzbatimit.

Projektzbatimi origjinal është hartuar me mangësi të theksuara, sipas të cilave projekti është shoqëruar me rritje të konsiderueshme të kostos. Për disa zëra punimesh janë bërë likuidime të pa argumentuara.

Në mungesë të automjeteve të cilat duhet të viheshin në dispozicion të mbikëqyrësit të punimeve, ato janë furnizuar me vonesë, por edhe pse në mungesë të tyre janë likuiduar shërbime për to”.

Pra sipas KLSH pavarësisht se rruga në disa segmente të saj nuk është përfunduar, ministria e linjës ka bërë likuidime, pa marrë në dorëzim punë konkrete.

Ku duket se përfituesit më të mëdhenj janë shoqëritë konsulente që duhet të mbikëqyrnin punët, por që në fakt nuk e kanë bërë një gjë të tillë ose, edhe kur e kanë bërë, e kanë kryer këtë punë me vonesë, duke sjellë rritje të vazhdueshme të kostos së rrugës.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, vetëm shërbimi i Konsulencës për këtë rrugë, ka kapur deri më tani shifrën e 10.4 milionë dollarëve ose sa 1/7 e kostos fillestare të rrugës që ishte menduar të kushtonte 73 milionë dollarë.

Raporti i auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit

“Në rritjen e kostos së projektit si pasojë e ndryshimeve, një ndikim negativ të konsiderueshëm ka rritja e shërbimeve të konsulencës për mbikëqyrjen e punimeve, e përllogaritur në vlerën 5.6 milionë USD. Pavarësisht domosdoshmërisë së këtyre shpenzimeve, të cilat janë rritur si pasojë e zgjatjes së afatit të përfundimit të kontratave të punimeve civile, vlera e rritur e tyre deri në momentin e auditimit në shumën 5.44 milionë USD (duke e çuar vlerën totale në 10.4 milionë USD) përbën shpenzime pa efektivitet, pasi për të njëjtën fushë dhe madhësi punimesh, kërkohen shpenzime shtesë”.

Por ky është vetëm një aspekt i errët i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, që del nga raporti i auditimit në KLSH pasi të tjera shkelje të shumta janë konstatuar në këtë rrugë, madje duhet thënë të frikshme, për këtë rrugë të ndërtuar shumë lart mbi nivelin e detit dhe që mund ta kthejë atë në një aks vështirë të aksesueshëm gjatë periudhës së dimrit.

Por jo vetëm kaq, me kosto të jashtëzakonshme për mirëmbajten e tij. Këtë fakt e evidenton edhe KLSH në raportin e saj të auditimit.

Raporti i Auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit

“Projektzbatimi origjinal i lotit nr. 2, ka rezultuar me mangësi të theksuara.

Gjatë inspektimit janë evidentuar mungesë e vizatimeve në projekt, llogaritje të gabuara konstruktive si dhe mungesë e studimit gjeologjik/gjeoteknik, për urat nr.4, nr.10 dhe nr.11.

Parashikimi i ndërtimit të mureve mbajtës dhe pritës me lartësi shumë të madhe të cilat arrijnë deri 24 m, teknikisht problematike në ndërtim si dhe kosto shumë e madhe.

Diferenca të volumeve të paraqitura në projekt, krahasuar me faktin në terren, rezultuar pas azhurnimit të volumeve.

Lot 2, shtrihet në kuotën 720 metër mbi nivelin e detit në kilometrin 18, ndërsa pas kilometrit 22, kuotat e rrugës janë mbi 1000 m mbi nivelin e detit.

Ndërtimi i rrugës në të tilla lartësi, krijon vështirësi të shumta dhe kosto të larta, kryesisht sa i përket mirëmbajtjes dimërore”.

Po ashtu, ky segment, por jo vetëm, shtrihet në terrene jo të qëndrueshme nga pikëpamja gjeologjike, të cilat kërkojnë investime të konsiderueshme për parandalimin e rrëshqitjeve, si dhe kosto të larta mirëmbajtje pas ndërtimit të saj./BalkanWeb

Artikuj te ngjashem

Me te fundit