Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar sot se opozita do të zhvillojë një protestë kombëtare shumë shpejt. Gjatë takimit që pati me krerët e degëve të PD në rrethe, Berisha u shpreh se brenda 2-3 ditëve do të njoftohet data se kur do të mbahet protesta e përgjithshme.
Më tej ai renditi dhe arsyet se pse qytetarët duhet të dalin në protest kundër qeverisë së Edi Ramës.
“Ne alternativë tjetër nuk kemi, por të qëndrojmë kundër këtij njeriu me të gjithë forcën tonë. Ky pasi shkatërroi sistemin shëndetësor, përgjysmoi në mënyrë të rrufeshme numrin e mjekëve, brenda 4 viteve. Pasi me politikat që ndoqi bëri të mundur që Covidi të bëjë kërdëni mbi shqiptarët dhe vdekjet të arrijnë këtu në 4 vendet me vdekshmërinë më të lartë në botë. U është vërsulur universiteteve, na la dhe pa universitete. Një praktikë djallëzore anti shqiptare shpopullimi.
Po pse lëvizin shqiptarët nga periferia në Tiranë, është shkollimi i fëmijëve. Thotë ti çoj se shkollohen më mirë. Tani ti mbyllim dhe këto, ti falimentojmë këto universitete dhe të ikim ku të mundemi për të shkolluar fëmijët.
Po si të mos protestojë profesori i universitetit kur merr një rrogë 4 herë më të vogël se shoferi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Si të mos protestojë asistenti i universitetit kur merr një rrogë më të vogël se punonjësi i fasonerisë. Si të mos protestojë profesori i universitetit i cili detyrohet të paguajë me lekët e veta çdo artikull që boton, kur në diktaturë na paguanin. Revista në të cilën ne botonin na jepte lek. Kurse këtyre duhet të paguajnë çdo artikull.
Ua mbylli aktivitetin shkencor vetëm e vetëm se si të përthahen, të zhvishen si studiues dhe të mbesin thjeshtë ligjërues në auditore. Si të mos protestojë universiteti.
Është detyrë e çdo shqiptari ti mbështesë, është detyrë e çdo studenti të mbështesë fuqishëm sindikatën e universiteteve.
Në Kosovë, qeveria u jep studentëve 100 euro në muaj për krizën e krijuar, kurse në Shqipëri u thotë plaç. U thotë se nuk do merrni diplomën 3 vjet, po nuk kryer këto detyrime. Këto të gjitha janë sirena të cilat kërkojnë të angazhohen në protestat më të fuqishme që ka njohur vendi.
Gjendja në biznesin e vogël është katastrofale. I pret tani si shpatë taksa 23%. Profesionet e lira, taksa 23 % që edhe ata të ikin sa më shpejt, të marrin valixhet dhe të ikin nga Shqipëria. Ku do të shkojmë ne. Ne duhet detyrimisht të ju dalim zot këtyre. Duhet të na shohin se jemi në këmbë, në rrugë në përballje me këtë regjim antishqiptar. Ky është një mision i madh për ne.
Ne nuk na mungon asgjë sot. Njerëzit janë si kurrë më parë të gatshëm për betejë. Na pyesin çdo ditë, ju, mua dhe të gjithëve, çfarë po bëni, pse nuk po ngriheni. Kjo është e vërteta. Kjo kërkon që ne të shumëfishojmë kontaktet. Shpjegimet tona ne i kemi të vërteta. Të ulemi me demokratët, socialistët e vërtetë, njerëzit pa parti. Këtu çdo ditë më vijnë socialistë të cilët nuk janë rilindas, por socialistë dhe përjetojnë të njëjtat situata. Hajde të bashkojmë kauzën. Kemi kauzë të drejtë”, është kjo një pjesë e fjalës së Berishës./btvnews.al