E premte, 22 Nëntor, 2024

Deklarata e fortë e Yuri Kim: Keni mbushur xhepat tuaj dhe të fëmijëve, tani ndaloni!

Një mesazh të fortë ka dhënë sot ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim për ata që tentojnë që të manipulojnë drejtësinë me dhurata apo kërcënime.

Në fjalën e mbajtur me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese, Yuri Kim pohoi se ata që tentojnë të kthejnë Shqipërinë pas, duhet të ndalojnë.

Ambasadorja motivoi gjyqtarët dhe prokurorët që të vijojnë të bëjnë detyrën.

“Mirëmëngjesi të gjithëve.

President, Kryetare e Kuvendit Nikolla, anëtarë të trupit diplomatik, dhe të ftuar,

Është një ditë e mrekullueshme sot që të jem këtu me ju për të festuar 30 vjetorin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sot, ne shënojmë një moment historik të rëndësishëm në zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Gjykata Kushtetuese është një gur themelor i ndryshimeve demokratike në Shqipëri, të cilat nisën në fillim të viteve 1990.

Gjykata ka kaluar ndryshime thelbësore që nga themelimi i saj. Dhe ju jeni përkushtuar për një ndryshim të vërtetë që premton një të ardhme më të ndritur të drejtësisë kushtetuese në Shqipëri, të ankoruar me vendosmëri në parimet themelore të shtetit të së drejtës.

Reformat që u morën në vitin 2016, ishin shumë të vështira por ato ishin të nevojshme. Dhe falë atyre ndryshimeve, Gjykata Kushtetuese është e aftë të kryejë punën e saj bazuar në një kuadër kriteresh të qarta ligjore për ata që dëshirojnë të bëhen gjyqtarë në këtë gjykatë. SHBA është krenare që ka mbështetur Gjykatën gjatë këtyre ndryshimeve, në momentet e saj më të vështira – që nga hapat sfidues por të domosdoshëm të procesit të vlerësimit kalimtar (vetingut) për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, tek triumfi i përzgjedhjes së gjyqtarëve të kualifikuar për t’iu bashkuar Gjykatës për të rifituar funksionalitetin e saj të plotë në fund të vitit 2020. Dhe mirëpres ditën kur Gjykata të ketë çdo vakancë të saj të plotësuar me një gjyqtar që ka kaluar vetingun, të kualifikuar.

Siç e themi shpesh, reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por po ecën përpara dhe po fillon të japë rezultate reale. Ata që e kundërshtojnë këtë ecje përpara, ata që nuk do të donin rezultate të prekshme, po i dyfishojnë përpjekjet e tyre. Ata do të donin ta tërhiqnin zvarrë Shqipërinë në të kaluarën, në një kohë kur gjyqtarët dhe prokurorët mund të bliheshin, apo kërcënoheshin, në një kohë kur qytetarët e zakonshëm shqiptarë nuk e besonin se mund të ekzistonte drejtësia në gjykatë, se ata mund të kishin pushtetin, paratë, apo lidhjet për të ndërtuar një jetë për veten e tyre në këtë vend, për veten dhe fëmijët e tyre.

Për një kohë të gjatë, mënyrat e vjetra kanë ngulmuar. Prandaj, të gjithëve ju, juve që doni të zvarritni Shqipërinë prapa në të kaluarën, ta zvarritni atë me shkelma e ulërima, me njerëzit që vuajnë, juve them: Ndalni. Ndalni. Kohës tuaj i ka ardhur fundi. Koha e të bërit telefonata, e të dërguarit emisarë, e të dërguarit dhurata, e kërcënimeve për të zbuluar sekrete të errta nga një e kaluar e shëmtuar, e premtimit të dhuratave, të cilat nëse pranoheshin, hidhnin bazat për një tjetër sekret të errët, për një tjetër të ardhme të errët. Ajo kohë ka marrë fund. Ju i shijuat privilegjet tuaja, ju e shijuat imunitetin tuaj, i mbushët xhepat tuaj, i mbushët xhepat e fëmijëve tuaj, të miqve tuaj! Ndalni – ka marrë fund! Koha juaj ka marrë fund!

Ka ardhur koha t’i lini njerëzit e zakonshëm të jetë të lirë, vërtetë të lirë. Ka ardhur koha që t’a lini popullin shqiptar të besojë se ekziston drejtësia në Shqipëri, se ia vlen që ata dhe fëmijët e tyre të qëndrojnë, se ekziston një e ardhme më e ndritur, se ka dënim për ata që kryejnë krime, se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Këtë duhet të bëjë Gjykata Kushtetuese dhe këtë është përpjekur të bëjë në vitet e fundit. Këtë duhet të bëjë çdo gjykatë, këtë duhet të bëjë çdo prokuror. Mjaft iu përgjigjët atyre telefonatave. Mjaft pranuat dhurata. Mjaft u frikësuat nga ato kërcënime. Lërini shqiptarët të marrin frymë. Lërini të jenë të lirë. Lëreni Shqipërinë të jetë e shkëlqyer.”, tha Yuri Kim.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit