Në Shqipëri, parlamenti votoi mesnatën e së enjtes, disa ndryshime në ligjin për “Të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të shtetit”, të cilat parashikojnë ndër të tjera hapjen e dosjeve, deklasifikimin e të gjithë dokumenteve nga 29 Nëntori 1944 deri në 2 korrik 1991 të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë, si dhe heqin pengesat për riverifikimin e figurës së personave që kanë një certifikatë të mëparshme pasurie, kur për ta, shfaqen informacione të reja.
Ndryshimet morën mbështetjen e 94 deputetëve që ndodheshin në sallë, pa asnjë votë kundër, falë konsensusit të gjetur mes socialistëve dhe deputetëve demokratë në opozitë që mbështesin kryetarin e grupit Enkelejd Alibeaj.
Zanafilla e këtyre ndryshimeve ishte një shkresë që Autoriteti i Dosjeve, i dërgoi parlamentit në fund të muajit korrik, ku bënte të ditur se emri i ish presidentit Ilir Meta “figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish Sigurimit të Shtetit”.
Zoti Meta e hodhi poshtë në mënyrë kategorike çdo mundësi që ai të kishte qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit. Ai akuzoi Autoritetin për manipulim të dosjes, duke ngritur më vonë dhe një padi ndaj këtij institucioni, për të cilën Prokuroria njoftoi pak kohë më parë se nuk përmbante elementë për të regjistruar një çështje penale.
Në shkresën e tij, Autoriteti propozonte dhe një ndërhyrje ligjore, që të hiqej pengesa për riverifikim të figurave të cilat ishin pajisur më parë me certifikata pastërtie nga Komisionet Mezini e Bezhani, të cilat zhvilluan aktivitetin e tyre në gjysmën e dytë të viteve ’90. Autoriteti ia kishte propozuar këtë ndryshim parlamentit disa herë të tjera dhe më parë. Por vetëm tani, shumica socialiste vendosi të vepronte me shpejtësi, dukshëm e nxitur nga shfaqja e emrit të ish-presidentit Meta. Në 5 vitet e tij në krye të shtetit, marrëdhëniet mes palëve kishin qenë tejet të tensionuara. Dy nisma të socialistëve për shkarkimin e tij rezultuan të pasuksesshme.
Edhe kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në parlament, tha se “ne këtu në këtë proces na solli shtetasi I.M.. Doli një I.M., u mbush dynjaja me fjalë, u pa që nuk merrej dot vesh kush është ky I.M., a është I.M.-ja që u shkon mendja atyre që u shkon mendja për keq, apo është ndonjë I.M. tjetër dhe shumë thjeshtë u zbulua, apo u kuptua, apo u mor vesh, apo u kujtua që ka një pengesë për shtetasin I.M.. Të hapet gjithë kjo kategori dosjesh edhe të lehtësohen të gjithë edhe ku ta gjejmë që të marrim një përgjigje lehtësuese dhe jo akoma më rënduese dhe largqoftë të mësojmë që shtetasin I.M. e paskemi pas 30 vjet jo vërdalle, po 30 vjet merre e ngjite ku ka pas vend në gjithë piramidën shtetërore dhe ule aty”, deklaroi zoti Rama.
Pjesa e deputetëve demokratë të udhëhequr nga zoti Alibeaj, të cilët kanë gjithashtu një marrëdhënie përplasjeje me zotin Meta, shfrytëzuan mundësinë për të kërkuar një ndërhyrje më radikale ndaj trashëgimisë së ish-Sigurimit të shtetit. Vota e tyre, do të jetë e nevojshme për socialistët, për të kaluar dhe një ndryshim në Kodin Zgjedhor të kërkuar po nga Autoriteti i Dosjeve, që parashikon detyrimin për partitë politike dhe kandidatët në garat për parlament apo dhe pushtetin vendor, që të pajisen më parë me një certifikatë pasurie nga Autoriteti. Një masë e cila rrezikon ta lerë jashtë posteve dhe institucioneve politike zotin Meta, nëse do të vërtetoheshin dyshimet se ai ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit.
Shumica pranoi dhe votoi në parlament dy amendamente të paraqitura nga zoti Alibeaj, si atë që lidhet me deklasifikimin e dokumenteve të ish-Sigurimit, ashtu dhe me hapjen e dosjeve, që i jep mundësi çdokujt që të konsultohet në mënyrë të plotë me to, në ndryshim nga ç’ndodh aktualisht ku një pjesë e të dhënave (emrat e personave të përfshirë) ofrohen të mbuluara. Palët gjetën po ashtu dakordësi dhe për disa element të tjerë që i njohin të drejtën Autoritetit të angazhohet dhe në procesin e identifikimit dhe rikuperimit të eshtrave të personave të zhdukur dhe të ekzekutuar, të ketë mundësinë që për sqarimin e rrethanave të një çështjeje të mbledhë deklarata nga palët, dëshmitarët dhe të kërkojë përfshirjen e ekspertëve, apo që ky institucion “të verifikojë propozimet për dhënie dekoratash, tituj nderi, medalje dhe titujt vendorë të nderit, emërtimit të rrugëve, shesheve, hapësirave publike, dhe monumenteve historike kulturore /lapidarëve me data, emra dhe simbole që lidhen me të kaluarën e regjimit komunist”.
Në fjalën e tij në parlament zoti Alibeaj deklaroi se “nuk është thjesht hapja e dosjeve për të parë kush kanë qenë bashkëpunëtorët e Sigurimit, por kush kanë qenë prokurorët politikë, gjyqtarët politikë, ekzekutorët e skuadrave të pushkatimit, ekspertët, ata drejtues e gardianë burgjesh të cilët vdekjen e të pafajshmeve e kanë pasur bukën e tyre të përditshme. Ky është çelësi i parë i një sarkofagu të madh ku është futur i gjithë makthi i shoqërisë por dhe politikës shqiptare. Kush nuk është i kapur, kush nuk ka skelete në dollap, do duhet ta bëjë këtë. Është fillimi, shpresojmë të jetë kështu, i një procesi purifikimi të kësaj shoqërie”.
Por për zotin Petrit Vasili, deputet i Partisë së Lirisë, forca politike që zëvendësoi siglën e Lëvizjes socialiste për Integrim, sapo zoti Meta la presidencën, ndryshimi i propozuar “është një nismë ad personam, që s’ka lidhje me parimet por thjesht e vetëm një mafiozitet politik”, tha ai duke akuzuar Autoritetin se është vënë në shërbim të interesave të shumicës.
Edhe deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, pjesë e grupimit që mbështet ish kryeministrin Sali Berisha, i cili mungoi në sallë, kundërshtoi ndryshimet e propozuara duke folur për një pazar mes shumicës dhe pjesës tjetër të demokratëve që drejtohen nga zoti Alibeaj. Sipas tij “ne sot nuk po i ndalojmë kriminelët që të marrin funksione. Në ato amendamente nuk ka asgjë për kriminelët e komuniziit. Ne duhet të dënojmë jo krimet, por kriminelët e komunzimit”, tha ai duke këmbëngulur në nevojën e ligjit të lustracionit, një projekt të të cilit ai ka dorëzuar në parlament.
Një propozim për lustracionin është propozuar dhe nga pjesa tjetër e demokratëve së bashku me një projektligj për ndërgjegjësimin e shoqërisë për krimet e komunizmit apo dhe ndalimin e propagandës komuniste.
Nga ana e tyre socialistët, përveç ndërhyrjes në Kodin zgjedhor, që kufizohet te personat e zgjedhur, duket se synojnë po ashtu zgjerimin e rrezes së ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike të personave që rezultojnë si bashkëpunëtorë apo të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, duke përfshirë të gjithë ata që janë në piramidën e administratës shtetërore, por dhe në organet kushtetuese, apo të krijuara me ligj, deri te gjyqtarët dhe prokurorët./VOA