Vijon të mbushet me mister vdekja e 32-vjeçarit Lear Kurti. Në dëshminë e zbardhur të dy policëve që ranë të parët në kontakt me të riun, jepen disa detaje të reja që janë ndryshe nga sa ka deklrauar Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Një nga efektivët ka treguar bisedën që ka pasur me të riun. Në dëshminë e zbardhur nga gazetari Igli Çelmeta, efektivi deklaron se kur e ndaloi të riun ai refuzoi të jepte dokumentin e identifikimit, dhe u largua me vrap. Efektivi tregon se e ndoqi dhe rrugës u rrëzuan në tokë të dy.
Më pas ai ka rrëfyer se Kurti filloi të ndihej keq dhe e futën në makinë që të qëndronte ulur, një deklaratë kontradiktore kjo me AMP-në, me këta të fundi që thanë se i riu është ndjerë keq në komisariat.
Po ashtu, në këtë dëshmi tregohet se i riu është dërguar në Komisariat nga patrulla tjetër dhe jo nga ajo që e ndaloi. Efektivët tregojnë se kur kanë dashur ta zbrisnin nga makina, 32-vjeçari është mbajtur me forcë te sedilja e makinës dhe nuk donte të dilte dhe ta fusnin në komisariat. Në ato momente, Lear Kurti është ndjerë sërish shumë keq, bënte lëvizje të pakontrolluara, e për pasojë e kanë dërguar vetë në spital, pasi sipas tyre ambulanca u vonua.
“Rreth orës 23:07 bashkë me dy kolegët ishim në patrullim me makinë në rrugën “Riza Çuka” dhe në një moment konstatuam një të ri, i cili po ecte dhe kreu disa veprime të dyshimta. Në bazë të kësaj i kërkova verifikim. I kërkova mjet identifikimi, por ai nuk kishte. Më pas e pyeta nëse kishte sende të kundërligjshme me vete dhe më pas sa dola nga automjeti, i riu u largua me vrap. Pasi e ndoqa pas 2 minutash arrita ta ndaloj përballë një marketi. Pasi e ndalova, si unë ashtu edhe i riu u rrëzuam përtokë dhe në këtë moment u afruan edhe dy kolegët e mi. E ngritëm në këmbë të riun dhe kërkuam ndihmën e patrullave.
E ulëm në trotuar dhe pamë që i riu kishte vështirësi në frymëmarrje. Menjëherë kontaktova me drejtorinë vendore dhe kërkova një autoambulancë dhe që i riu të ndjehej më mirë e futëm në makinë, jo në makinën që kisha në shërbim, por në makinën tjetër. Filloi të ndihej më mirë dhe i thamë të qetësohej, ndërkohë që aty erdhën patrullat me kod 20 dhe 22. Në këtë moment kolegu tjetër i vendosi prangat dhe më pas u kthyem për të kontrolluar rrugën nëse kishte hedhur apo jo sende të kundërligjshme, por nuk gjetëm, kurse patrulla tjetër e dërgoi të riun në komisariat”, është kjo dëshmia e efektivit të parë.
Ndërkohë efektivi tjetër rrëfen se: “I riu fërkonte gjoksin dhe ulte kokën poshtë. Kur arritëm në komisariat i riu u kap te sedilja e makinës dhe nuk donte që të dilte, më pas e nxorëm nga makina me vështirësi dhe sapo doli prej aty filloi të dridhej, të shtrëngonte dhëmbët dhe bënte lëvizje të pakontrolluara. Menjëherë tentuam t’i jepnim ndihmë duke u munduar t’i hapnim gojën dhe i mbajtëm kokën mbrapa që të mos godiste pllakat, pasi po bënte lëvizje të pakontrolluara, i vendosëm një shkop hekuri në dorë pasi menduam për shenja epilepsie. Kolegët e mi njoftuan autoambulancën dhe duke parë gjendjen e tij, e futëm në automjet policie dhe e dërguam në spitalin e traumës pasi ambulanca po vonohej”.
Ndërkohë këtë të hënë Prokuroria ka nisur hetime për këtë ngjarje për akuzat ‘veprime arbitrare’ dhe ‘mosdhënie ndihme’./btvnews.al