E premte, 15 Nëntor, 2024

Miqësorja me Arabinë, Kombëtarja përfundon seancën stërvitore në “Niko Dovana”. 5 lojtarë do të bashkohen në Abu Dabi

Kombëtarja kuqezi ka vijuar përgatitjet në Durrës pasi në datën 26 tetor do të zhvillojë një ndeshje miqësore me Arabinë Saudite. Në drejtimin e trajnerit Edi Reja dhe stafit teknik sot kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Niko Dovana” para nisjes për në Abu Dabi.

Në këtë seancë kanë marrë pjesë 18 nga lojtarët e thirrur me mesfushorin Arbnor Muçolli, i cili është bashkuar të dielën mbrëma me grupin dhe është stërvitur rregullisht sot me ekipin. Tekniku Reja ka provuar vendosje të ndryshme taktike me lojtarët në këtë seancë, teksa ekipi do të ketë edhe një stërvitje në stadiumin e ndeshjes të martën pasdite. Kombëtarja do të niset sot pasdite për në Abu Dabi, ku do të mbërrijë në orët e darkës për t’u akomoduar menjëherë në hotel.

Pesë nga futbollistët e ftuar do të udhëtojnë menjëherë në Abu Dabi të hënën për t’u bërë pjesë e Kombëtares. Bëhet fjalë për Ardit Tolin, Mario Mitaj, Bekim Balaj, Elhan Kastrati dhe Gentian Selmani, të cilët janë të impenjuar këtë të diel me klubet e tyre. Ky test është një mundësië mjaft e mirë për lojtarët e spikatur të kampionatit që të tregojnë vlerat e tyre dhe të fitojnë shansin për të qenë sërish pjesë e Kombëtares kuqezi.

Miqësorja Arabi Saudite – Shqipëri do të luhet të mërkurën, datë 26 tetor në “Al Nahyan Stadium” të Abu Dabit dhe do të nisë në orën 18:30 sipas orës lokale (16:30 sipas orës shqiptare).

/PANORAMASPORT.AL

Artikuj te ngjashem

Me te fundit