Policia e Berlinit ka arrestuar pesë shqiptarë, të cilët dyshohet se janë anëtarë të një bande që merrej me trafikun e drogës. Shqiptarët akuzohen se kanë trafikuar 136 kilogramë marijuanë në Gjermani me vlerë rreth një milion Euro.
Sipas medias vendase “Berliner Zeitung”, hetuesit e Grupit të Përbashkët të Hetimit për Narkotikët kanë ndërmarrë veprime pasditen e së premtes së kaluar. Mësohet se shqiptarët e arrestuar janë të moshave nga 22 deri në 50 vjeç
Ata janë kapur teksa po ngarkonin bimë kanabisi pranë një magazine në Velten në veri të Berlinit dhe t’i përgatisnin për shitje.
Policia kishte prej kohës që ishte vënë në ndjekje të këtij grupi dhe i ka lënë ata deri sa kanë bërë ngarkesën gati dhe e kanë vendosur në mjetin që do ta transportonin e më pas ka ndërhyrë duke i arrestuar.
Në përfundim të operacioni autoritetet konfiskuan 32,990 Euro, që besohet se kanë ardhur nga shitja e drogave të tjera. Gjykata ka vendosur masën e arrestit në burg për të gjithë të arrestuarit, ndërkohë hetimet po vijojnë për të gjetur anëtarë të tjerë të bandës./btvnews.al