Ai zhvilloi një takim me mbretin Charles në Buckingham Palace, ndërsa tani po mban fjalimin e parë për kombin si kryeministër.
Sunak tha se ai sapo ka pranuar ftesën e Mbretit për të formuar një qeveri.
“Aktualisht, vendi ynë po përballet me një krizë të thellë ekonomike. Pasojat e Covid vazhdojnë ende dhe lufta në Ukrainë ka destabilizuar tregjet në mbarë botën”, tha ai.
Sunak deklaroi se Liz Truss kishte të drejtë që donte të përmirësonte situatën ekonomike.
“Ky ishte një qëllim fisnik, por janë bërë gabime”, tha ai.
Sunak tha se është zgjedhur kryeministër dhe kreu i konservatorëve për t’i “ndrequr” ato gabime.
“Kjo punë fillon menjëherë”, thotë ai.
Sunak deklaroi gjithashtu se gjatë kohës së tij si ministër bëri gjithçka që mundi për të mbrojtur njerëzit dhe bizneset përmes skemave të ndryshme.
“Do të trajtoj me të njejtë përkujdesje edhe sfidat me të cilat përballemi sot. nuk duam t’i lëmë brezit të ardhshëm një borxh për të shlyer që nuk ishim të zotët ta paguanim vetë. Unë do ta bashkoj vendin tonë jo me fjalë, por me vepra”, thotë Sunak.
Sunak tha se ai do t’i jetë gjithmonë mirënjohës Boris Johnson për “arritjet e tij të jashtëzakonshme” si kryeministër.
Ai shtoi se e di se mandati që Partia Konservatore fitoi në 2019 nuk është pronë e vetme e një personi, përkundrazi “është një mandat që na takon dhe na bashkon të gjithëve”.
Mes premtimeve për punën e qeverisë së tij, ishin edhe shkolla më të mira, rrugë më të sigurta, kontroll i kufijve, mbrojtja e mjedisit dhe mbështetja e forcave të armatosura.
Sunak vijoi duke thënë se e kupton se sa i vështirë është ky moment pas kostove të Covidit dhe luftës në Ukrainë.
“Kjo qeveri do të ketë integritet, profesionalizëm dhe llogaridhënie në çdo nivel. E kuptoj që kemi sfida të mëdha para, por e vetmja gjë që mund të them është se nuk kam frikë. Së bashku mund të arrijmë gjëra të pabesueshme. Ne do të krijojmë një të ardhme të denjë për sakrificat që kanë bërë kaq shumë dhe do ta mbushim nesër dhe çdo ditë që vjen, me shpresë. Faleminderit”, tha kryeministri i ri i britanikëve.