E premte, 22 Nëntor, 2024

E para e këtij lloji në botë, në Kinë fillon shpërndarja e vaksinës kundër COVID-19 që merret nga goja

Qyteti kinez i Shangait nisi të mërkurën shpërndarjen e një vaksine kundër COVID-19-ës që merret nga goja, e para e këtij lloji në botë.

Sipas një njoftimi zyrtar të bërë nëpërmjet mediave sociale, vaksina që merret në formën e një spërkatësi në gojë, ofrohet falas, si një dozë përforcuese për njerëzit e vaksinuar plotësisht.

Shkencëtarët shpresojnë se vaksina të tilla mund të garantojnë qasje më të madhe ndaj vaksinës në vendet me sisteme të dobëta shëndetësore. Po kështu mund të bindin të vaksinohen ata persona që druhen nga gjilpërat.

Kina synon të vaksionojë një numër edhe më të madh njerëzish me doza përforcuese, përpara se të lehtësojë kufizimet e rrepta lidhur me pandeminë, që po frenojnë ekonominë e që gjithnjë e më shumë nuk përputhen me masat e marra në pjesën tjetër të botës. Që nga mesi i muajit tetor, 90% e shtetasve kinezëve rezultojnë plotësisht të vaksinuar dhe 57% kanë marrë një dozë përforcuese.

Efektiviteti i vaksinave që merren nga goja nuk është shqyrtuar plotësisht. Agjencitë rregullatore kineze i miratuan ato në shtator, por vetëm si dozë përforcuese, pasi studimet tregojnë se ato shkaktojnë një përgjigje të sistemit imunitar tek ata njerëz që kanë marrë më parë dy vaksina kineze, të cilitdo lloji.

Vaksina u prodhua nga kompania kineze farmaceutike CanSino Biologics Inc. e cila përdor një virus relativisht të parrezikshëm që shkakton të ftohtin./Zëri i Amerikës

Artikuj te ngjashem

Me te fundit