Të paktën kjo u komunikua nga Enti Rregullator i Energjisë, që nxitoi të dalë me vendimin për rritjen e çmimit për abonentët familjar për periudhën e mbetur të vitit, por pa specifikuar se sa do të jetë çmimi që do të aplikohet mbi fashën 800 kilovatë. Ishte Kryeministri Rama, që pas njoftimit të ERE-s bëri të ditur se një kilovatë energji nuk do të kushtojë 42 lekë por 44 lekë, gati 5-fish më tepër. Por edhe kësaj here, ekziston mundësia që të ketë një shtyrje të vendimit, duke nxjerrë për të disatën herë jashtë loje Entin Rregullator të Energjisë.
VENDIMI
Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, la të kuptohet dje se rivendosja e fashës mund të mos aplikohet as në nëntor, nëse do të ketë më pak konsum energjie.
“ERE miraton çmimet, aplikimi nëse do të rritet apo jo i përket qeverisë. Kështu që si ndodhi në shtator dhe në tetor jemi duke pritur të dhënat sa i përket konsumit, i cili ka ndryshuar, është ulur. Shqiptarë janë sensibilizuar e kanë konsumuar 5% e pak se ne tetorin e vitit të kaluar. Në javën e parë të nëntorit presim reshje në zonën e kaskadës së Drinit. Kjo do të sillte që qeveria të mos e aplikojë as për muajin nëntor fashën 800.
Fasha 800 nuk është rritje çmimi, por është përfundimi i mburojës për të gjithë shqiptarët. Ne mbulojmë 1 milion e 90 mijë abonentë familjarë me një mburojë sociale energjetike që ka nisur nga muaji shtator i 2021”, tha zëvendëskryeministrja, Balluku.
FATURA
Janë mbi 71 mijë familje që do të preken nga rritja e çmimit të energjisë, pra gati dyfish më shumë nga çfarë u tha nga qeveria. Me rikthimin e fashës çmimi i energjisë për abonentët familjarë që harxhojnë mbi 800 kilovat në muaj do të 5-fishohet.
Aktualisht, abonentët familjarë e paguajnë një kilovatorë me 9.5 lekë. Por, duke filluar nga data 1 nëntor, deri në 800 kWh do të aplikohet çmimi i reduktuar, ndërsa mbi këtë prag çmimi deri në fund të këtij viti do të jetë 44 lekë, pra thuajse 5 herë më i lartë.
Për ta konkretizuar, një familje që harxhon në një muaj 850 kilovat, me skemën aktuale detyrimi mujor është (850 X 9.5 lekë/ këh) 8075 lekë. Kësaj shume i shtohet edhe TVSH (20 për qind) dhe fatura mujore në këtë rast është (8075 +1615) 9 690 lekë (pa përfshirë taksën e televizionit).
E njëjta familje pas aplikimit të fashës do të paguajë për të njëjtën sasi energjie të harxhuar, pra 850 kilovatorë një faturë në vlerën e rreth 11 760 lekë, pra rreth 2 mijë lekë më shumë. Kjo pasi deri në 800 Këh çmimi do të jetë 9.5 lekë, ndërsa për diferencën që në këtë rast është 50 Kwh çmimi do të jetë 44 lekë. Por me rritjen e konsumit rritet edhe detyrimi mujor.
Çka do të thotë se për familjet që harxhojnë 100 kilovatë më tepër, fatura rritet me rreth 4 mijë lekë. Për ata që harxhojnë mbi 200 kilovatë, ose rreth 1000 kilovatë në muaj detyrimi bëhet 19 620 lekë, ose rreth 8200 lekë më tepër e kështu me radhë.