Jeta në jetimore e Dhuratës, e cila po rrëfen gjithçka në “Ka Një Mesazh Për Ty”, nisi të ndryshonte sapo u largua kujdestarja që e dhunonte. Së bashku me vëllain, për 4 vite, Dhurata vuajti nën një tutelë dhimbjeje e terrori. Historinë e saj e kanë ditur vetëm dy mikeshat e saj të ngushta, ndërsa sot vendosi ta ndajë në programin “E diela shqiptare” në Tv Klan.
Deri në moshën 18-vjeccare, me shumë përpjekje, Dhurata mundi të qëndronte në jetimore, por më pas duhej të largohej patjetër. Zgjidhja që i erdhi ishte të qëndronte me prindërit e saj, të cilët e braktisën qëkur lindi duke e lënë në maternitet. Përgjatë viteve ata e vizitonin, por Dhurata nuk kishte kurrfarë ndjesie për njerëzit që e kishin sjellë në jetë. Megjithatë, u detyrua të shkonte në shtëpinë e tyre, thotë me një buzëqeshjeje, pas të cilës lexohet dhimbja.
Ardit Gjebrea: E thua me një lloj buzëqeshjeje. Ishte e lumtur jeta me babin?
Dhurata: Tmerr. M’u shemb bota. Nuk kishte kushtet siç isha rritur.
Ardit Gjebrea: Pra, ti ishe më mirë në atë institucion sesa në shtëpi me babin?
Dhurata: Po.
Ardit Gjebrea: Si sillej babi me ty?
Dhurata: Më dhunonte. Siç sillej me mamin, që e mbante mbyllur, më mbante dhe mua.
Ardit Gjebrea: Pra ishit të dyja të mbyllura në shtëpi?
Dhurata: Po. Saqë merrja në telefon, kam pasur telefon sepse edhe studioja kur isha te prindërit sepse s’doja të shkëpusja studimet dhe nuk i shkëputa.
Ardit Gjebrea: Mami u shërua apo vazhdonte e sëmurë?
Dhurata: Jo, vazhdon akoma. Pavarësisht se babai ka ndërruar jetë, nuk jeton më.
Ardit Gjebrea: Dhuna e babait me siguri ka ndikuar edhe në shëndetin e mamit, apo jo?
Dhurata: Po.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë ti, jo vetëm që shikoje dhunën e babait ndaj nënës, por edhe ti vetë dhunoheshe.
Dhurata: Po.
Ardit Gjebrea: Cili ishte motivi që një baba mund të dhunojë një vajzë?
Dhurata: Se donte gjatë gjithë kohës që ta laja, ta pastroja, të kujdesesha për të, kupton? Unë nuk e ndieja.
Ardit Gjebrea: Shiko që të kujdesesh për prindin nuk është keq.
Dhurata: Nuk është keq, po kur ka qenë ai për mua kur kam pasur unë nevojë? Prind nuk është ai që të lind, prind është ai që të rrit.