Deputeti francez në Parlamentin Evropian, Nicolas Bay, përmes llogarisë së tij zyrtare në Twitter ka goditur Kosovën ndërsa ka shëtitur nëpër qytetet e saj. Bay ka qëndruar në Ballkan për tre ditë, konkretisht në Serbi dhe në Kosovë, ku edhe ka vizituar disa monumente kulturore e historike në vend, prej të cilave ka nisur propagandën e fuqishme kundër Kosovës.
Me mbi 21 postime për tre ditë ai e ka quajtur Kosovën “djep të Serbisë”, e objektet kulturore, fetare e historike si pjesë të këtij shteti por të okupuara nga shqiptarët. Në ‘Twitter”-in e tij të fundit ai me disa fotografi të publikuara nga manastiri në Graçanicë, thotë se pavarësisht “pushtimit të shqiptarëve”, ky vend mbetet i shenjtë dhe u mundëson serbëve të rrënjosin veten në identitetin e tyre.
“Manastiri i Graçanicës është një nga më të rëndësishmit për ortodoksët. Pavarësisht pushtimit shqiptar, ky vend i shenjtë u mundëson serbëve të rrënjosin veten në besimin dhe identitetin e tyre. Një xhevahir i qytetërimit tonë”, shkruan ai në fotografitë e publikuara në llogarinë e tij zyrtare nga manastiri i Graçanicës.
“Disa do të na bëjnë të besojmë se Kosova është një territor i aneksuar Serbisë: nuk është kështu.
Kosova është zemra e kombit serb. Është djepi historik i Serbisë”, kështu e nis shkrimin e tij tjetër në Twitter, përsëri nga manastiri ku me një video ju drejtohet mbi 103 mijë ndjekësve të tij në Twitter.
Certains voudraient nous faire croire que le Kosovo est un territoire annexe de la Serbie : il n’en est rien.
Le Kosovo est le coeur de la nation serbe. Il est le berceau historique de la Serbie. pic.twitter.com/NZr5w1smtW
— Nicolas Bay (@NicolasBay_) October 30, 2022
Vizitën e tij tre ditore në Ballkan deputeti e nisi në Beograd, me 27 tetor.
“Arrita mëngjesin e sotëm në Beograd për një udhëtim 3-ditor në Ballkan. Mundësia për të takuar popullsinë, autoritetet politike dhe fetare, në këtë tokë të mavijosur evropiane ku rrezikohet edhe e ardhmja e qytetërimit tonë evropian dhe të krishterë”, shkruan ai në twitter nga kryeqyteti i Serbisë.
E nga kjo ditë deputeti francez e fillon propagandën e tij në twitter kundër Kosovës, duke e quajtur Serbinë mbrojtëse të identitetit të saj për luftën në Kosovë dhe bombardimet e NATO-s të vitit 1999 në Beograd.
“Midis 24 marsit dhe 8 qershorit 1999, avionët e NATO-s bombarduan Beogradin. Çfarë gabimi kishte Serbia? Duke dashur të ruajë identitetin dhe pavarësinë e saj kombëtare”, shkruan ai në fotografitë e publikuara nga Beogradi.
Vizitën e tij në Kosovë ai e nisi në veri të Mitrovicës. Bay me fotografi të publikuara me ushtarë serbë nga ura në Mitrovicë e quan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, terroriste dhe ushtarët serb heronj që luftuan të parandalojnë pushtimin e kësaj ure.
“Në vitin 1999, këta burra luftuan ditë e natë, duke rrezikuar jetën e tyre, për ta “mbajtur” këtë urë të Mitrovicës dhe për të parandaluar pushtimin e terroristëve shqiptarë të UÇK-së në veri të Kosovës. Ata janë heronj të popullit serb”, shkruan deputeti në një twitt tjetër.
Postimet e tij skandaloze nga Kosova, duke e goditur rëndë identitetin dhe historinë e shtetit nuk kanë të ndalur. Të tilla shkrime ai ka publikuar edhe nga Prizreni, Grcanica, Mitrovica e qytete të tjera.
Prizrenin ai quan ish-qytet të mbretërve të Serbisë tani “të okupuar nga shqiptarët”, e që sipas tij kishat janë zëvendësuar nga xhamitë. Madje nga ky qytetet i vjetër i Kosovës ai akuzon perëndimin se kanë kthyer kokën dhe nuk kanë parë se çfarë ka ndodhur këtu.
“Prizreni, një qytet evropian dhe ish-qyteti i mbretërve të Serbisë, tani është i pushtuar nga shqiptarët myslimanë. Në këtë tokë të Evropës, kishat janë zëvendësuar nga xhamitë. Ndërkohë, qeveritë perëndimore kanë parë nga ana tjetër”, shkruan Bay.
E nga qyteti i Prizrenit ai ka ndarë me ndjekësit e tij edhe një fotografi të fëmijëve, valltarë të veshur në rrobat kombëtare dhe me flamuj të Shqipërisë. Deputeti francez në PE, e quan qeverinë e Kosovës një rrjedhje të mafies dhe shtetit të islamizuar që përdor fëmijët për të valëvitur flamujt në rrugët e Prizrenit.
Këto janë vetëm disa nga publikimet e tij skandaloze në faqen e tij zyrtare. Nuk dihet ende nëse institucionet në vend e qeveria janë të njoftuar për këtë lloj propagandë të tmerrshme që po i bëhet Kosovës nga deputeti francez në PE. Gazeta Infokus ka kontaktuar me zyrën e kryeministrit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme mirëpo deri në publikim e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.