E hënë, 2 Dhjetor, 2024

Berisha thirrje mbështetësve të PD: Ne sot kemi hyrë në fushën e betejës. Shqiptarët kërkojnë shpëtimin nga kjo klikë

Kreu i Partisë Demokratike në një takim me kryetarët e degëve të PD-së së Tiranës është shprehur se nga sot partia që ai drejton ka hyrë në fushën e betejës.

Në fjalën e tij, Berisha duke hedhur akuza kundër Kryeministrit Edi Rama është shprehur “vijmë në fillimin e betejës sepse shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, por kudo që janë presin nga PD-ja, opozita shqiptare, shpëtimin nga kjo klikë”.

Pjesë nga deklarata e Sali Berishës:

Ne sot kemi hyrë në fushën e betejës. Duhet të kuptohemi, të gjitha përpjekjet tona të deritanishme kanë qenë përpjekje për tu ngritur në këmbë, për të dëshmuar veten tonë si opozitë e vërtetë, si PD e rithemeluar. Tani, ne vijmë në fillimin e betejës.

Vijmë në fillimin e betejës sepse shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, por kudo që janë presin nga PD-ja, opozita shqiptare, shpëtimin nga kjo klikë, nga ky njeri i cili ka vendosur monizmin më të shëmtuar në Shqipëri.

Monizmi i tij sot qëndron në rrafshin e shtetit ligjor, disa shkallë më poshtë se monizmi në Vietnamin socialist në të cilin Partia Komuniste është forcë udhëheqëse hegjemone me kushtetutë. Pra nuk është pluralizmi, siç thotë kushtetuta jonë, por është monizmi, por shtetin ligjor ata e kanë 4 shkallë më në rregull seç e kemi ne, në këtë situatë katastrofale.

Që Edi Rama duhet të largohet nga pushteti e kanë thënë mijëra herë shqiptarët, por tani ka ardhur koha që ta shndërrojmë në realitet këtë moto.

Nuk mund të qëndrojë në pushtet një njeri i cili me firmë dhe vulë vjedh qindra milionë euro taksapaguesve shqiptarë. Nuk mund të qëndrojë në pushtet një kryeministër që fluturon, udhëton me çarter 137 herë, dy herë më shumë se presidenti i vendit më të fuqishëm në botë dhe u thotë qytetarëve të shtetit të vet sikur të ishin dele, se unë e bëj për të promovuar avionin e ‘Air Albania’, paçka se avioni çarter ka koston, nga 100 deri në 300 mijë dollarë./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit