E shtunë, 9 Nëntor, 2024

Putini kërkon “garanci reale” nga Kievi për marrëveshjen e grurit

Presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë presidentit turk Recep Tayyip Erdogan se ai do “garanci reale” nga Kievi, përpara se t’i bashkohet sërish marrëveshjes për grurin.

Siç raportoi AFP-ja, më 1 nëntor, në një bisedë telefonike, Putin i tha Erdoganit se Rusia po kërkon “garanci reale nga Kievi për respektimin e rreptë të Marrëveshjes së Stambollit, veçanërisht për mospërdorimin e korridorit humanitar për qëllime ushtarake”, thuhet në deklaratën e Kremlinit.

Marrëveshje e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara (OKB) mundësoi, në muajin gusht, vazhdimin e eksportit të grurit ukrainas, duke zbutur krizën ushqimore të shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës.

Rusia ka akuzuar më herët Ukrainën për abuzim me korridorin e sigurt për transportimin e grurit, për të sulmuar anijet ruse në Krime dhe ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në marrëveshje.

Më 29 tetor, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se Moska po pezullonte pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen për grurin “pas sulmit ukrainas me dron mbi anijet e flotës ruse të Detit të Zi, si dhe në anijet civile në Sevastopol”.

Putin i tha Erdoganit se “është e nevojshme të kryhet një hetim i plotë për rrethanat e incidentit” kundër flotës së Detit të Zi.

“Vetëm pas kësaj do të jetë e mundur të diskutohet çështja e vazhdimit të punës” në kuadër të marrëveshjes, thuhet në deklaratën e Kremlinit. Ukraina tha se pretendimi i Rusisë ishte një “pretekst i rremë” për t’u tërhequr nga marrëveshja.

Më 1 nëntor, disa anije mallrash u larguan nga portet e Ukrainës, pavarësisht paralajmërimit të Rusisë një ditë më parë se ishte “i rrezikshëm” vazhdimi i eksporteve pa pjesëmarrjen e Rusisë./REL

Artikuj te ngjashem

Me te fundit