Një operacion masiv është zhvilluar ditën e sotme në Itali, ku janë vënë në pranga 31 persona dhe mes të arrestuarve ka dhe shqiptarë. Sipas mediave italiane mësohet se janë shkatërruar 4 rrjete kriminale të furnizimit me lëndë narkotike të territorit të Rietit.
Policia kishte kohë që po hetonte dhe gjithçka nisi pas arrestimit të një shqiptari, i cili më pas ka çuar në zbulimin e rrjetit të trafikimit të drogës.
Pas këtij arrestimi, efektivët identifikuan dhe prishën një kanal të parë furnizimi, duke sekuestruar një sasi të madhe kokaine nga Campania që do të futej në tregun e Rietit nga shqiptari i arrestuar dhe bashkëpunëtorët e tij.
Po ashtu u arrestuan 8 persona të përfshirë në shitjen e mbi 200 gramë kokainë, të cilët prisnin ngarkesën në një apartament në lagjen Villa Rieti.
Hetimet e mëtejshme bënë të mundur identifikimin e kanaleve të tjera të furnizimit me drogë, ku i pari, që vinte nga Terni, ku u kap një tjetër shtetas shqiptar, me bashkëpunimin e një gruaje, po transportonte 15 gram kokainë.
Policia vijoi edhe më tej hetimet dhe zbuloi një rrjet tjetër trafikimi dhe sekuestroi sërish drogë. Pas hetimeve u arrestuan në flagrancë 17 persona dhe filloi hetimi në gjendje të lirë për 14 persona të tjerë, të cilët rezultojnë përgjegjës për posedim droge për qëllime trafiku./btvnews.al