Një takim me fermerët në Dvoran të Korçës për të folur në lidhje me problematikat në Bujqësi. Në fjalën e tij kryeministri tha se duhet më shumë bashkëpunim midis fermerëve, pasi më mirë se ata, askush nuk e di çfarë iu nevojitet.
Rama propozoi krijimin e kooperativave, ose bashkimeve të fermerëve, me qëllim hartimin e politikave të përbashkëta për investime në zona të caktuara.
Shefi i qeverisë shtoi se qeveria mund ta çojë ujin deri në një burim qendror, por që më pas investimi për shpërndarjen në çdo tokë duhet të bëhet nga vetë fermerët.
“Duhet përsëri ju të bashkoni dhe të thoni që ne duam këtë ndryshim të sistemit, të na vijë uji nga një burim dhe ta shpërndajmë me sistemin me pika. Por nga ana tjetër kur vjen puna te sistemi me pika ky është një investim ekstra dhe për këtë investim dhe ju duhet të bini dakord se duhet të paguani.
S’mund të vijë uji pa paguar, ai ujë që vjen në çdo pemë duhet paguar. Duhet që ata që janë gati të thonë ju silleni deri te burimi qendror pastaj pjesën tjetër e kemi ne. Duhet pak më shumë iniciativë nga bashkitë dhe pak më shumë iniciativë nga ju. Duhet të jemi shumë më bashkë. Është shumë e rëndësishme, nuk mundet të ndërtojmë kuturu, por të kuptojmë çfarë investimesh na duhen. Na duhet një friogorifer tjetër, na duhet një shtëpi tjetër dhe këto janë vendime që merren bashkë, se më mirë se ju nuk e di as ministria çfarë ju nevojitet.
Prandaj është koha të krijohen sa më shumë bashkime, sa më shumë kooperativa, nuk doni ta quani kooperativë quajeni si të doni. Nuk doni ta quani kooperativë quajeni federata e ullirit si në Elbasan”, tha Rama.
Gjithashtu Rama shtoi: Familjet paguajnë 20% të çmimit të energjisë elektrike, 80% i paguan buxheti i shtetit në çdo faturë sot që flasim. Është koha që kryetarët e bashkive të futen në iniciativa të përbashkëta me ju. Për të pasur një frigorifer nuk kemi pse presim një sipërmarrës duhet ta bëjmë vetë. Duke krijuar menjëherë një shoqëri të përbashkët ju duke futur një lekë, bashkia 5 lekë dhe pastaj 24 lekë të tjera qeveria. Kjo është pronë e përbashkët e juaja dhe e bashkisë. Ju keni pikën tuaj në plantacion. Kjo rrit vlerën e punës tuaj këtu. Duhet të nxitojmë në këtë proces. Kryetarët e bashkive kanë një detyrë që ia kemi ngarkuar për të zhvilluar të tilla nisma që do fuqizojmë rrjetin tonë të grumbullimit. Nuk na mjafton më të marrim dhe të eksprtojmë mollë. Na duhet edhe komposto, edhe reçel.
Nuk mund ta lësh tokën e bukës djerrë. Jepe ta punojnë ose punoje vetë. Që të shfrytëzojmë çdo metër tokë. Duhet të viheni në lëvizje për të krijuar një shoqëri me bashkinë të futen në marrëdhënie. Bashkia bëhet ortak me ju. Kjo shoqëri e përbashkët dhe pjesëmarrjen e bashkisë bën projektin. Projekti merr financimin. Qeveria jep mbështetjen e vet dhe kjo është ndërmarrja juaj. Kjo është mbështetja juaj për atë që bëni në fermë. Ne jemi i vetmi vend në Evropë që nuk takson fermerin. Ju nuk paguani asgjë, as për tokën, as për ujin. Dhe gjëja që duhet bërë në këtë rast dhe ku themi merrni NIPT-in nuk e themi për t’ju vënë taksën. Tani e patë vetë që ju duhet NIPT-i për të marrë mbështetjen me naftë. /btvnews.al