Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve, Sandër Kovaçi, në një deklaratë për mediat denoncoi se pedagogët të cilët pritet të hyjnë në grevë urie, janë kërcënuar dhe shantazhuar nga politika.
Kovaçi u shpreh se kjo dëshmon se sa thellë ka hyrë politika në arsim dhe i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të ndalojë sulmet dhe përbaltjet ndaj pedagogëve,
“Kundërvënie me plot fyerje, për një protestë paqësore, për një kauzë që i përket jo vetëm dinjitetit të intelektualëve të një vendi, por gjithë popullit, dëshmon se sa thellë ka hyrë politika në arsim. Është ky shtrëngim i dhunshëm i politikës, që po intimidon, kërcënon, shantazhon, kolegët tanë teksa janë duke ndërmarrë hapin sublim të grevës së urisë.
Kjo protestë e pedagogëve dhe ky përshkallëzim, është një momentum i shtresës më të lartë shoqërore, e cila po përballet me të drejtat e mohuara. Ndaloni sulmet e paprincipta zoti kryeministër dhe përbaltjet e ulëta ndaj pedagogëve, të cilët janë duke ushtruar një të drejtë të garantuar me kushtetutë”, theksoi ai./btvnews.al