Partia e Lirisë ka zhvilluar mbrëmjen e kësaj të enjte mbledhjen e Kryesisë së re që u zgjodh një ditë më parë. Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në fjalën e tij u shpreh se partia e tij në zgjedhjet e ardhshme lokale të 14 Majit do të marrë një rezultat të mirë.
Ai theksoi se PL do të jetë bashkë me shqiptarët për objektivin madhor, atë të ndaljes së shpopullimit, si një nga dramat me te mëdha.
“Është një ekip që i ka të gjitha kapacitetet intelektuale, njerëzore, por edhe eksperiencat e duhura politike organizative për të udhëhequr një aksion shumë të suksesshëm që jam i bindur që do të kulmojë me një sukses të PL në 14 maj, por edhe të opozitës. Forcimi i opozitarizmit është kryefjala e veprimit tonë, sepse kjo do të thotë rivendosje e pluralizmit, e demokracisë, e shtetit të së drejtës.
Forcimi i opozitarizimit dhe triumfi i tij në zgjedhjet e ardhshme do të thotë mbrojte e të drejtave të qytetarëve që janë ndjerë të nëpërkëmbur gjatë këtyre viteve, sidomos gjatë këtyre 4 viteve të një pushteti tërësisht monist.
Edhe njëherë ju falënderoj shumë për angazhimin e deritanishëm dhe për bashkëpunimin. PL do të jetë partia e guximit qytetar dhe do të jetë pranë tyre dhe së bashku me ta në atë objektiv madhor që ne e kemi përcaktuar, që Shqipëria tu përkasë të rinjve. Që vendi ynë të ndahet me dramën e shpopullimit dhe të rinjtë tanë të fillojnë të besojnë, të punojnë për Shqipërinë e tyre dhe për Shqipërinë e të rinjve”, u shpreh ndër të tjera Meta./btvnews.al