Kushtet e vendosura për përfitimin e subvencioneve në bujqësi, për shumë banorë të zonave rurale janë penalitete ndaj atyre që kanë pak tokë në pronësi, por e kultivojnë çdo vit.
Miftar Tyçi nga fshati Vajkal i Fushë Bulqizës thotë se 3 dynym tokë bujqësore që ka e kultivon çdo vit. Por duke qenë se me këtë sipërfaqe nuk përfiton asnjë subvencionim, ai shprehet se të gjithë fermerët duhet të mbështeten për aq tokë sa punojnë.
Miftari tregon se toka e tij është prodhuese qoftë në kulturën e grurit, qoftë në atë të misrit. Një tjetër problematikë që po hasin fermerët është edhe cilësia e farërave. Miftar Tyçi thotë se fara e misrit të kultivuar në pranverën e këtij viti ka dalë jo prodhuese, por askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për të.
Janë shumë banorë të zonave rurale që e punojnë tokën bujqësore edhe pse përballen me çmime të larta, ndaj dhe ata kërkojnë mbështetje financiare nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural./btvnews.al