Britanikja “Daily Mail” ka intervistuar disa shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Angli, në mesin e debatit të gjerë që është ngritur në lidhje me emigrantët e shumtë që kanë arritur në vend përmes gomoneve vetëm këtë verë.
Shqiptarë që jetojnë në Britaninë e Madhe akuzuan qeverinë britanike se i ka bërë ata ‘koka turku’ për politikën ‘e dëmtuar’ të emigracionit të Britanisë dhe kritikuan pretendimet e Home Office se ata po ‘luanin’ me sistemin.
Ata thanë se ishin larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë në Britani për të punuar shumë dhe për të paguar taksat që u takojnë, ndërsa këmbëngulnin se nuk pretendonin përfitime të paligjshme dhe nuk ishin “gangsterë apo hajdutë”.
Duke folur jashtë një kafeneje në veri të Londrës, emigrantët shqiptarë pohuan se ishin viktima të racizmit të hapur dhe po shënjestroheshin qëllimisht nga qeveria britanike për të larguar vëmendjen nga trajtimi i dobët i kalimeve të emigrantëve në Kanalin Anglez.
Ervis Abdullaj, 39 vjeç, pronar i 01 Café Bar, është një prej rreth 150,000 shqiptarëve që jetojnë në MB.
Ai thotë: ‘Shqiptarët po vijnë këtu për një jetë më të mirë. Çfarë problemi ka këtu? Shumë njerëz kanë ardhur nga vende të tjera, por askush nuk ankohet për ta. Shqipëria është një vend i bukur, por ka shumë korrupsion dhe dhunë atje. Shumë shqiptarë po ikin nga kushtet e tmerrshme dhe jeta e tyre është në rrezik. Mund të mos ketë luftë atje, por nuk është një vend i sigurt.’
Abdullaj, shkoi në Britani në vitin 2014 përmes rrugëve të ligjshme.
“Unë nuk kalova ilegalisht me një gomone dhe kam bërë një jetë të mirë për veten time në Britani. Por nëse njerëzit janë të dëshpëruar për të ardhur këtu kështu, atëherë duhet të ketë një arsye të fortë. Unë punoj pothuajse 18 orë në ditë dhe si shumë shqiptarë në Britaninë e Madhe dua të kem një jetë të mirë për veten time. Qeveria britanike thjesht po përpiqet të na fajësojë ne për problemet e saj. Nuk është faji ynë që nuk mund të bashkohet dhe të bëjë diçka për krizën e emigrantëve. Kështu që është më e lehtë t’i lidhësh të gjitha me shqiptarët”.
Bandat shqiptare në Britaninë e Madhe janë akuzuar për kontrabandën e njerëzve dhe kontrollin e pjesëve të mëdha të tregjeve të marijuanës dhe kokainës në vend.
Dritan Doda, 49 vjeç, i cili drejton një kompani ndërtimi, këmbënguli: ‘A jemi ne i vetmi komunitet në MB që përfshihemi në kriminalitet dhe tregti droge? Unë nuk mendoj kështu. Kam 25 vjet që jam në Britani dhe nuk e di pse tani fajësohen shqiptarët për gjithçka. Ne jemi një komunitet i vogël në Mbretërinë e Bashkuar, por aktualisht jemi duke u fajësuar për të gjitha problemet e mëdha. Është racizëm për mendimin tim sepse është më e lehtë për Qeverinë të na fajësojë ne sesa të marrë përgjegjësi.’
Ndërtuesi Ermond Dena, 50 vjeç, i cili ka qenë në Britani për 10 vitet e fundit shtoi:
‘Shumë komunitete kanë kriminelë dhe tregtarë droge. Pse të fokusohemi vetëm te Shqipëria? Kam vënë re një rritje të numrit të shqiptarëve që vijnë në MB gjatë muajve të fundit, por ka pasur edhe njerëz që kanë ardhur nga vende të tjera”.
Shumica e atyre që ndodheshin në kafenetë e shqiptarëve të Hendonit kishin arritur në Britani të Madhe në pesë vitet e fundit dhe pak e pranuan se kishin ardhur ilegalisht me gomone me emigrantë.
Por Esad, 24 vjeç, i cili donte të jepte vetëm emrin e tij dhe nuk donte të fotografohej, pranoi: “Erdha vitin e kaluar me një gomone. Pagova një bandë në Shqipëri dhe ata bënë të gjitha rregullimet. Shumë njerëz duan të vijnë sepse jeta në Shqipëri nuk është e lehtë. Është e vështirë të gjesh një punë dhe nëse e ke një të tillë, je me fat që të fitosh 200 Paund në muaj. Unë jam duke pritur që të shqyrtohet kërkesa ime e azilit dhe jeta nuk është e lehtë në Londër, por është më mirë se të jem në Shqipëri.’
Shoku i tij, i cili nuk donte të përmendej me emër, shtoi:
“Kam paguar rreth 5000 Paund, që janë shumë para në Shqipëri. Në Francë ka shqiptarë që kujdesen që të hipësh në gomone. Është e rrezikshme, por ia vlen’.
Ndërtuesi Modi Reci, 42 vjeç tha: “Shumica prej nesh këtu nuk kanë ardhur ilegalisht me gomone. Disa nga ata që janë përfshirë në veprimtari kriminale si tregtia e drogës, por është kot të thuash se të gjithë shqiptarët janë kriminelë. Njerëzit po vijnë këtu nga e gjithë bota, kështu që pse të na zgjidhni ne shqiptarët?”
Eddie Terziu, 37 vjeç, një ndërtues, me origjinë nga Elbasani, tha për MailOnline:
“Kam ardhur në Mbretërinë e Bashkuar për punë. Kam ardhur 15 vjet më parë dhe tani është shtëpia ime. Unë kam një grua dhe dy fëmijë, djali im më i vogël ka lindur këtu. Nuk ka punë në Shqipëri. Kështu që erdha në Londër. Ishte e vështirë të filloja sepse nuk e dija gjuhën. Por kam punuar shumë dhe tani është shtëpia ime. Ne nuk jemi kriminelë, nuk jemi gangsterë. Ne nuk kërkojmë përfitime. Ne punojmë për paratë tona.’
Edward Balla, 31 vjeç, tha për MailOnline: “Unë jam murator. Unë nuk shes drogë, nuk kam armë. Unë nuk jam kriminel. Kam ardhur në Mbretërinë e Bashkuar katër vjet me pare për të gjetur një jetë më të mirë. Në Londër mund të fitoj deri në 1000 Paund në javë. Në Shqipëri nëse je me fat fiton 100 Paund në javë. Kështu që unë kam ardhur në Britani për një jetë më të mirë. Është si një ëndërr për shqiptarët të vijnë në Londër. Ne e dimë nëse punojmë shumë, mund të fitojmë para dhe të jetojmë mirë.’
Shqiptarë të tjerë treguan se si u ishte dhënë statusi i refugjatit në Britani pasi u larguan nga atdheu i tyre nga frika e jetës së tyre.
Flamur Alla, 50 vjeç, një ndërtues, tha për MailOnline: “Unë jam shqiptar nga Kosova. Kam ardhur si refugjat në vitin 1999 për shkak të luftës me Serbinë. Tani jeta ime është në Britani. Tre fëmijët e mi tani janë të gjithë të rritur. Kam shqiptarë që punojnë për mua në vende në të gjithë Londrën. Ata të gjithë punojnë shumë. Ata nuk kërkojnë asgjë në këmbim të asgjëje”.