- Presidenca e Kosovës ka reaguar pas vendimit të “Listës Serbe” për të braktisur të gjitha institucionet shtetërore në Prishtinë.
Blerim Vela nga zyra e Presidencës së Republikës së Kosovës ka thënë se Serbia është duke i detyruar dhe nxitur serbët që të braktisin punën e tyre në institucionet e Kosovës.
Ai ka thënë se një akt i tillë i ngjan asaj nxitjes që Rusia e kishte bërë në Donbas në vitin 2014.
Vela ka thënë se ngjarja e sotme tregon se “Lista Serbe” përdoret si mjet nga regjimi i Aleksander Vuçiqit për të destabilizuar Kosovën.
Si do të funksionojë tani qeveria e Kosovës?
Dhjetë deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës kanë dhënë dorëheqje sikurse edhe përfaqësuesit tjerë institucional serbë në institucionet e Kosovës.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se vendet e deputetëve serbë mbesin të lira nëse nuk plotësohen me kandidatët që kanë garuar në zgjedhjet e fundit nga ky subjekt.
“Kuvendi mund tas vazhdojë punën, por që pengesë mund të bëhet në rastin e miratimit të ligjeve që kërkojnë votat e shumicës së 2/3 së dyfishtë” , është shprehur Miftaraj.
“Nëse i referohemi Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pozitat e garantuara, duhet të jenë domosdo nga partia që ka fituar më së shumti vota nga komuniteti serbe”.
Miftaraj ka thënë se edhe ministri duhet të jetë nga Lista Serbe, derisa ka shtuar se mungesa e tij nuk prish punën në funksionimin e qeverisë./klankosova/