Vetëm pasi problemi u bë publik në Televizion, institucionet përgjegjëse janë kujtuar për të ndërhyrë në rrugën Ura e Çerenecit – Ura e Topojanit në njësinë administrative Shupenzë të Bulqizës. Pas lajmit të transmetuar pak ditë më parë, është bërë mbushja e gropave në rrugë, duke përmirësuar disi infrastrukturën për qarkullimin e automjeteve.
Burime bëjnë me dije se asfalti është hedhur nga firma që ka për mirëmbajtje aksin nacional Skuraj – Peshkopi pasi ky segment nuk është hequr nga inventari i Autoritetit Rrugor Shqiptar edhe pas ndërtimit të rrugës së Arbrit që kalon përmes Gjoricës.
Banorët e Shupenzës falenderojnë median e cila bërë publike shqetësimin e tyre dhe nxiti reagimin e institucioneve për të ndërhyrë në këtë rrugë e cila shërben për mijëra banorë të zonës e më gjerë.
Gropat në segmentin Ura e Çerenecit – Ura e Topojanit në Shupenzë të Bulqizës ishin kthyer në një gangrenë të madhe jo vetëm për drejtuesit e automjeteve por edhe për banorët që jetojnë përgjatë saj. /btvnews.al