Fermerët që kanë pak tokë bujqësore por që duan ta kultivojnë çdo vit dhe nuk mund të përfitojnë nga skemat e subvencioneve, kërkojnë lehtësira të tjera.
Arif Grrana nga fshati Gjoricë e Poshtme në Bashkinë Bulqizë, thotë se fermerët janë në kushte shumë të vështira për shkak të rritjes së çmimit të naftës, të farërave dhe plehrave kimike.
Ai tregon se tokën e tij e mbjell çdo vit me para borxh pasi pensioni si ish minator prej 15 mijë lekësh të rinj, nuk i del as për tu qethur e për të pirë kafe gjatë një muaji. Fermeri Grrana shprehet se nuk është problemi i vetëm çmimet e larta, por edhe mungesa e tregut të shitjes së produkteve të prodhuara stinore apo vjetore.
Nisur nga këto kushte për fermerët, Arif Grrana thotë se nuk ka më asnjë shpresë që të rinjtë të merren me bujqësi. Fermeri Arif Grrana ka kultivuar grurin këtë sezon, ku sipas tij e bën për të siguruar bukën që do të konsumojë vitin e ardhshëm. /btvnews.al