E shtunë, 23 Nëntor, 2024

BE e shqetësuar për mundësinë që tensionet në Kosovë të barten në rajon: Thirrje palëve për një zgjidhje evropiane

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget eskalimi i tensioneve të krijuara.

Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Largimet nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.

Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Sigurisë, ka thënë në konferencën për shtyp se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mund të kenë ndikim negativ në tërë rajonin.

Ai, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth fatit të propozimit franko-gjerman për marrëveshje, dhe zhvillimeve të fundit në veri, ka thënë se “prioritet është ulja e tensioneve”.

“Ende po i studiojmë përgjigjet nga palët, por tani prioriteti kryesor është që të ulen tensionet në terren. Ditëve të fundit kemi parë rrezikun e madh të një eskalimi, si dhe zhvillime që sjellin në rrezik të gjitha të arriturat deri më tash. Kjo mund të ketë pasoja të mëdha jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për tërë rajonin. U bëjmë thirrje të dyja palëve që të jenë në nivel të përgjegjësisë dhe të gjejnë një zgjidhje evropiane”, ka thënë Stano.

Stano ka përsëritur thirrjen ndaj Kosovës që të bëjë hapa të menjëhershëm drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Sa i përket Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, ky është një obligim i qartë për Kosovën që menjëherë ta themelojë, apo të nisë hapat e menjëhershëm për themelimin e këtij Asociacioni. Ky është një obligim ligjor i Kosovës dhe dështimi që kjo të bëhet, dëmton jo vetëm sundimin e ligjit në Kosovë, por edhe kredibilitetin e saj. Tash, vërtet, u takon të dyja palëve që t’i zbatojnë obligimet që dalin nga marrëveshjet e Brukselit dhe nga dialogu”, ka thënë ai, duke nënvizuar se për këtë, Borrel gjatë fundjavës kishte diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“BE-ja dëshiron t’i afrojë Kosovën dhe Serbinë drejt një zgjidhjeje evropiane, t’i ulin tensionet dhe që sa më shpejt të përfshihen në dialog, sepse kjo është e vetmja rrugëdalje nga eskalimi momental. Kjo është rruga që çon deri te perspektiva evropiane për të dy partnerët”, ka theksuar ai.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka thënë se serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Por, Gjykata Kushtetuese ka thënë se disa pika të marrëveshjes nuk janë në harmoni me Kushtetutën dhe ka shtuar se ato mund të harmonizohen me akte nënligjore nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Stano ka folur edhe për shqetësimin e BE-së se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mund të kenë ndikim edhe më gjerë në rajon.

“Sa herë që ka jostabilitet lokal, ky jostabilitet eksportohet dhe ka ndikim edhe në rajonin më të gjerë. Kemi parë këtë edhe në rastin e Rusisë dhe Ukrainës. Ka një agresion brutal të një shteti ndaj tjetrit, por pasojat nuk janë të kufizuara vetëm në këto dy vende, mirëpo ndikojnë te të gjithë, në tërë botën”.

Stano nuk e ka përjashtuar mundësinë që dhuna eventuale nga tensionet e krijuara në terren, të përhapet më gjerë, duke ua rikujtuar vendeve se duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm që një gjë e tillë të mos ndodhë.

“Nëse kemi shpërthim të ri në tokën e Evropës, mes Kosovës dhe Serbisë, nëse tensionet vazhdojnë, askush nuk mund të përjashtojë [mundësinë] se kjo mund të sjellë deri te dhuna. Pra, nëse ndodh diçka në nivel lokal, kjo mund të ndikojë më gjerë”.

“Këtë Evropa nuk mund t’ia lejojë vetes, Serbia e Kosova nuk mund t’ia lejojnë vetes e as rajoni. Prandaj, u bëjmë thirrje liderëve në Kosovë dhe Serbi të parandalojnë eskalimim e mëtejmë, të ndërmarrin më shumë hapa në frymën evropiane dhe të ulen tensionet”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së.

Bashkimi Evropian vazhdon të ftojë palët që në mënyrë konstruktive t’i qasen dialogut dhe përmes tij t’i adresojnë të gjitha mospajtimet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të dielën se është në kontakt të vazhdueshëm me organet e sigurisë ndërkombëtare për të garantuar stabilitetin në Kosovë.

Ai tha se situata e sigurisë në Republikën e Kosovës rrezikohet nga “individë e grupe të ndryshme të kriminalizuara, dhe në këtë një vit e tetë muaj, sa jemi në qeverisje, kemi bërë avancimin më të madh në luftimin e krimit dhe korrupsionit, sidomos në aspektin ekonomik”.

Zyrtarët serbë në veri të Kosovës edhe më 7 nëntor kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës./REL/

Artikuj te ngjashem

Me te fundit