E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Çmimet e larta të energjisë nuk e frenojnë, rritje befasuese e prodhimit në Gjermani. Ekonomistët parashikojnë…

Industria gjermane e rriti prodhimin në shtator më shumë se sa pritej, pavarësisht nga çmimet e larta të energjisë. Ekonomistët megjithatë presin edhe më tej një recesion.

Sipërmarrjet gjermane, të mbërthyera nga inflacioni, kriza energjetike, lufta në Ukrainë dhe mungesa e materialeve, arritën megjithatë ta rrisin prodhimin e tyre në shtator.

Industria, ndërtimi dhe furnizuesit e energjisë së bashku prodhuan 0.6 për qind më shumë se në muajin e kaluar, njoftoi sot (07.12.) Zyra Federale e Statistikave.

Ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin pritur një rritje prej vetëm 0.2 përqind.

Lajmet negative shtohen

Në gusht, prodhimi ra më tej me 1.2 për qind (shifër e rishikuar). Kjo shifër ishte madje 2.6 për qind më e lartë se në shtator 2021.

E megjithatë rënia e fundit e porosive që vijnë si dhe indeksi i klimës së biznesit ifo, e cili ka rënë prej muajsh, vazhdojnë të flasin për një recesion në semestrin e dimrit, siç shpjegohet nga kryeekonomisti i Commerzbank-ës, Jörg Krämer. “Megjithatë, ky (recesion) nuk duhet të jetë aq i thellë sa gjatë krizës së koronas, për sa kohë sa

depozitat e gazit të mbushura mirë dhe furnizimet e larta të gazit e përjashtojnë racionimin e gazit.”

Këtë e tregon edhe një sondazh i institutit ifo në Mynih. Sipas këtij sondazhi, sipërmarrjet aktualisht shqetësohen shumë më pak për ekzistencën e tyre sesa gjatë fazës së rritjes së koronas. Sipas të dhënave të publikuara në fund të tetorit,ekzistencën e tyre të kërcënuar e shohin 7.5% e sipërmarrjeve. Në qershor 2020, ato ishin 21.8%.

“Përballë ngadalësimit të ndjeshëm ekonomik, sipërmarrjet po tregohen shumë të fuqishme”, ky ishte përfundimi i ekspertit të ifo-s Klaus Wohlrabe.

Kohët e fundit, megjithatë, lajmet negative nga ekonomia janë shtuar, me ekonominë që ka të ngjarë të rrezikohet nga një recesion teknik sipas shefit të Bundesbank-ës Joachim Nagel. Kjo do të thotë tkurrje për dy tremujorë radhazi në produktin e brendshëm bruto. Porositë e reja ranë me 4.0 për qind në shtator. Çmimet e larta të energjisë dhe ngadalësimi i ekonomisë globale po ndikojnë gjithashtu tek eksportuesit: eksportet u tkurrën me 0.5 për qind në shtator.

Sektorët me nevojë të madhe energjetike ende nën presion

Kostot e larta vazhdojnë të ndihen veçanërisht në sektorët me kërkesa të larta për energji. Prodhimi atje përsëri ra me 0.9 për qind. Ndër këto degë, zyra e statistikave numëron në radhë të parë produktet kimike dhe prodhimin e përpunimin e metaleve. Industria e përpunimit të naftës, prodhimi i qelqit dhe qeramikës, si dhe prodhimi i letrës dhe kartonit gjithashtu kërkojnë shumë energji.

“Rënia masive në industritë me kërkesa të mëdha për energji do të vazhdojë të ushqejë debatin rreth kërcënimit të çindustrializimit,” tha ekonomisti i LBBW, Jens-Oliver Niklasch. Nga ana tjetër, është një “shenjë e mirë që industria në tërësi po tregohet relativisht e qëndrueshme, edhe në kushte kaq të vështira”.

Prodhimi i pastër industrial – domethënë industria përpunuese pa përfshirë energjinë dhe ndërtimin – u rrit 0.7 për qind. Në plan vjetor, prodhimi industrial ishte 4.2 për qind më i lartë se një vit më parë. Industritë me kërkesa të mëdha për energji prodhuan 9.7 për qind më pak.

/DW

Artikuj te ngjashem

Me te fundit