E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Pak orë para bisedimeve për paqe, rinis konflikti mes Armenisë dhe Azerbajxhanit! Çfarë raportohet në kufij

Të tjera tensione të armatosura raportohet të kenë ndodhur përgjatë kufirit të Armenisë dhe Azerbajxhanit gjatë mbrëmjes së djeshme.

Lajmin e bënë të ditur vetë zyrtarët vendas, , të cilët shkëmbyen akuza lidhur me tensionet në fjalë, të cilat ndodhën vetëm disa orë përpara se të dy vendet armike të zhvillonin bisedime paqeje me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pra incidenti erdhi përpara një takimi në Uashington të ministrit të jashtëm armen, Ararat Mirzoyan dhe homologut të tij azerbajxhanas, Jeyhun Bayramov, për një raund të ri bisedimesh paqeje të organizuar nga Sekretari i Shtetit i SHBA-ve Antony Blinken.

Me Moskën gjithnjë e më të izoluar në skenën botërore pas pushtimit të Ukrainës në shkurt, SHBA dhe BE kanë marrë një rol udhëheqës në ndërmjetësimin e bisedimeve Armeni-Azerbajxhan.

Përshkallëzimi në kufi erdhi një javë pasi Presidenti rus Vladimir Putin priti kryeministrin armen Nikol Pashinyan dhe presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev për bisedime, teksa Moska kërkon të ruajë rolin e saj si ndërmjetësues midis dy ish-republikave sovjetike.

Në orët e para të së hënës, forcat azerbajxhanase hapën zjarr mbi pozicionet armene “në sektorin lindor të kufirit armeno-azerbajxhan”, tha në një deklaratë ministria e mbrojtjes në Jerevan.

Deklarata tha se “nuk kishte viktima dhe situata në vijën e frontit ishte relativisht e qëndrueshme” të hënën në mëngjes.

Nga ana e saj, ministria e mbrojtjes e Azerbajxhanit akuzoi forcat armene se kanë qëlluar në pozicionet e trupave të Azerbajxhanit të vendosura në disa lokacione në kufi.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të hënën u bëri thirrje të dyja palëve që të “përmbahen nga veprimet dhe hapat që mund të çojnë në një përshkallëzim të tensioneve”.

Jerevani dhe Baku zhvilluan dy luftëra për territorin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakh, në vjeshtën e vitit 2020 dhe në vitet 1990.

Gjashtë javë luftime në vitin 2020 morën më shumë se 6,500 jetë përpara se një armëpushim i ndërmjetësuar nga Rusia t’i jepte fund armiqësive.

Sipas marrëveshjes së vitit 2020, Armenia lëshoi ​​një pjesë të territorit që kishte kontrolluar për dekada dhe Rusia vendosi paqeruajtës për të mbikëqyrur armëpushimin e brishtë.

Ka pasur shkëmbime të shpeshta zjarri në kufirin e fqinjëve të Kaukazit që nga lufta e vitit 2020.

Në shtator, më shumë se 280 njerëz nga të dyja palët u vranë në përleshjet e reja.

Kur Bashkimi Sovjetik u shemb në 1991, separatistët etnikë armenë në Nagorno-Karabakh u shkëputën nga Azerbajxhani. Konflikti që pasoi mori rreth 30,000 jetë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit