E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Primaret në PD, kush ju bashkua garës se primareve për Bashkinë e Kamzës

Garës së primareve të PD-së për Bashkinë e Kamzës i është bashkuar sot dhe Arjan Hoxha, i cili ka prezantuar kandidaturën e tij.

Në konferencën për shtyp, Arjan Hoxha tha se në këtë garë nuk do të ketë të fituar dhe të humbur dhe nëse ai nuk zgjidhet kandidat i PD-së, do t’i japë dorën fituesit.

Hoxha do të jetë në garën e 4 Dhjetorit përballë një ish figure të lartë që vjen nga radhët e Policisë së Shtetit, Asllan Dogjani.

Deklarata e Hoxhës:

Unë jam Arjan Hoxha dhe kam vendosur të kandidoj në primaret e Partisë Demokratike për kryetar të Bashkisë Kamëz.

Ky vendim nuk ka qenë i thjeshtë dhe as i rastësishëm. E kam marrë këtë vendim me qëllimin që së bashku me të gjithë demokratët, pa përjashtim, t’ua kthej bashkinë e marrë peng nga Edi Rama dhe Rakip Suli qytetarëve të Kamzës.

Qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit, më shumë se kushdo tjetër, janë dëshmitarë të trajtimit diskriminues, tallës dhe poshtërues që iu është bërë nga qeveria e Edi Ramës për të vetmen arsye se ata kanë qenë kurdoherë besnik ndaj të djathtës dhe Partisë Demokratike.

Diskriminimi ndaj këtyre banorëve mund të vërehej lehtësisht në deklaratat e mbushura me mllef dhe fyerje të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij, në mungesën e investimeve në punësim, shëndetësi dhe arsim, në heqjen padrejtësisht nga puna dhe skemat e mbështetjes sociale.

Sikur kjo sjellje e pushtetit qëndror ndaj banorëve të Kamzës dhe Paskuqanit të mos mjaftonte, ardhja e Rakip Sulit në krye të Bashkisë Kamëz me vetëm 6% të pjesëmarrësve në zgjedhje, do ta vështirësonte edhe më shumë jetën për banorët e Kamëz dhe Paskuqanit. Sot, të gjithë janë dëshmitarë të aferave korruptive, abuzimeve dhe veprimeve arbitrare të Rakip Sulit dhe administratës së tij.

Por, në 14 Maj, pushteti lokal i Edi Ramës dhe Rakip Sulit në Kamëz dhe Paskuqan merr fund.

Menjëherë pas përfundimit të proçesit historik të primareve në 4 Dhjetor, kandidati zyrtar i Partisë Demokratike dhe ekipi i tij do të fillojnë punë për ndërtimin e një platforme fituese që ofron zgjidhje dhe mundësi zhvillimi për çdo qytetar të Kamzës dhe Paskuqanit, pavarësisht bindjeve të tij politike.

Të dashur demokratë të Kamzës dhe Paskuqanit,

Kur vendosa t’i bashkohem lëvizjes reformuese dhe rithemeluese të Dr. Berishës, e bëra me bindje të plotë se vota dhe vullneti i anëtarëve duhet të jetë në thelb të një partie politike. Veçanërisht një partie politike që solli idene e pluralizmit dhe votës së lirë në Shqipëri. Me këtë bindje, garova edhe në zgjedhjet për kryetar të PD-së Kamëz dhe me votëbesimin tuaj masiv, ia dolëm.

Nga dita e parë që jam zgjedhur në drejtimin e PD-së Kamëz, e kam ndjerë peshën e përgjegjësisë së këtij pozicioni. Prandaj, së bashku me ekipin drejtues të degës i jemi vënë punës për të takuar çdo demokrat, për ta falënderuar për kontributin e tij, për të dëgjuar idetë dhe për ta ftuar që të vazhdojë kontributin brenda familjes tonë politike.

Pikërisht këto takime e biseda, më kanë nxitur dhe inspiruar që të përfshihem në garën e brendshme të primareve për kandidat për Bashkinë Kamëz. Unë besoj fort se primaret janë manifestimi më i bukur i demokracisë dhe votës së lire.

Ekipi im dhe unë kemi punuar fort gjatë kësaj kohe për bashkimin e demokratëve në Kamëz dhe Paskuqan, e në një masë të madhe, besoj se ia kemi dalë. Megjithatë, gjatë kësaj kohe, së bashku me ekipin tim do t’i shumëfishoj takimet dhe kontaktet me demokratët e Kamzës dhe Paskuqanit, në mënyrë që në zgjedhjet e 14 Majit të jemi të gjithë bashkë për të festuar clirimin e Bashkisë Kamëz nga pengmarrja e Edi Ramës dhe Rakip Sulit, e kthimin e saj qytetarëve.

Qytetarët e Valiasit, Zallmnerit, Bulceshit, Bathores, Laknasit, Frutikulturës, Paskuqanit dhe Babrrusë meritojnë më shumë dhe ne demokratët jemi më të gatshëm se kurdoherë, të punojmë me ta dhe për ta, për më mirë e më shumë.

Të dashur demokratë të Kamzës dhe Paskuqanit,

Në një garë të brendshme nuk ka humbës dhe fitues. Prandaj, unë dua t’iu garantoj sot se kushdoqoftë fituesi i këtyre zgjedhjeve, qofsha unë apo miqtë e mi që kanë shprehur dëshirën për kandidim, unë do t’iu shtrij dorën e bashkëpunimit dhe do t’i përfshij në ekipin tim ose do të jem pjesë e ekipit të tyre për realizimin e misionit të përbashkët që është clirimi i Bashkisë Kamëz nga pushteti korruptiv dhe i paligjshëm i Edi Ramës dhe Rakip Sulit, dhe kthimi i bashkisë tek qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit