E shtunë, 16 Nëntor, 2024

Tensioni në veri të Kosovës, digjet një tjetër automjet me targa RKS në Zveçan

Një veturë me targa RKS është djegur sot në Komunën e Zveçanit, komunë e banuar me shumicë serbe, në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se vetura së cilës i është vënë zjarri, është pronë e një qytetareje serbe të Kosovës.

Sipas njoftimit, nuk ka pasur ndonjë të lënduar “përveç dëmeve materiale të shkaktuara nga vënia e zjarrit në automjet”.

Ky incident po shënon rastin e pestë të djegieve të veturave me targa RKS në veri të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dënuan, më 2 nëntor, djegien e pronave të atyre personave që kanë apo synojnë të riregjistrojnë makinat e tyre me targa ilegale serbe, në RKS – Republika e Kosovës.
Aktualisht, autoritetet e Kosovës janë duke zbatuar një plan tre fazësh përmes së cilit inkurajohen qytetarët në katër komunat veriore të vendit, që të riregjistrojnë veturat e tyre.

Riregjistrimi po kërkohet për veturat që bartin targa ilegale të lëshuara nga Serbia, me shkurtesa të emrave të qyteteve si PR, PZ e të tjera.

Besohet se afër 10.000 targa të tilla qarkullojnë në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Tri fazat e zbatimit të planit për targat përfshin fillimisht qortime për qytetarët që nuk i kanë ndryshuar ende targat, për të vazhduar më vonë me gjoba dhe targa provuese.

Qeveria e Kosovës synon që nga 21 prilli i vitit 2022 të mos ketë më në qarkullim vetura me targa ilegale serbe.
Rikujtojmë se në kundërshtim të këtij plani të autoriteteve të Kosovës, më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, në këtë situatë, kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget eskalimi i tensioneve të krijuara./REL

Artikuj te ngjashem

Me te fundit