Buxheti i bashkive nuk është thjesht shifër apo aritmetikë. Buxheti është proces, është instrument i politikave qendrore dhe vendore, është vendimmarrje, është buxheti i qytetarëve. Duke qenë i tillë duhet projektuar për t’ju përgjigjur nevojave reale të qytetarëve, me rregullin “ruaj nivelin e shërbimit pa rritur taksat”.
Por nga ana tjetër qëllimi është jo status-quo, por rritje e sasisë dhe cilësisë së shërbimeve. Ky projektim është një ushtrim shumë serioz. Kërkon analizë, vlerësim dhe konsultim. Kërkon dhe lobim. Por mbi të gjitha kërkon vullnet të qeverisë qendrore dhe mirëkuptim me bashkiakët.
Kur flitet për buxhet qytetarëve thjesht fare nuk ju intereson përkthimi i fjalës, as hallkat proceduriale të miratimit, as krizat kombëtare, aq më shumë ato globale, dhe aspak fare debatet dhe zhurma politike.
Qytetarët kanë vetëm një pyetje? A do marrin më shumë shërbime bashkiake vitin e ardhshëm? A do të na ndryshojë për mirë jetesa ekonomike? Dhe çfarë tregon e pritet nga 61 bashkitë vitin që vjen me buxhetin që është planifikuar për to?
Sipas projektligjit që po diskutohet në institucionet ligjbërëse këto kohë për 61 bashkitë dhe 12 qarqet, qeveria do të ndajë në formën e transfertës së pakushtëzuar buxhetin që përbëhet nga:
a) Pjesa e Përgjithshme prej 21.761 miliardë lekë që rezulton nga zbatimi i pikës 2 të nenit 23 të Ligjit nr. 68, datë 27.04.2017, “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore”, i cili përcakton se madhësia e transfertës së pakushtëzuar për vitin 2023 është jo më pak se 1% e Produktit të Brendshëm Bruto dhe jo me pak se ajo e vitit 2022;
b) Pjesa Sektoriale prej 9,890 miliardë lekë nga shtesa që rezulton si pasojë e zbatimit të pikës 3 të nenit 95 të Ligjit nr. 139, datë 17.12.2015, “Për Vetëqeverisjen Vendore”, për përfundimin e periudhës tranzitore për financimin me transferta specifike të funksioneve të decentralizuara nga ky ligj, dhe zbatimi i pikës 4 të nenit 23 të Ligjit 68 datë 27.04.2017 “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore” që rregullon konvertimin e transfertave specifike për funksionet e decentralizuara rishtazi në nivel vendor në transfertë të pakushtëzuar sektoriale.
Në total, për vitin 2023, transferta e pakushtëzuar do të jetë 31.651 miliardë lekë. Por nëse bëjmë krahasim me vitin 2022 buxheti shfaq rritje. Por kjo rritje a përkthehet në më shumë shërbime dhe mirëqenie për qytetarët?
Kjo lë shumë për të dëshiruar dhe ka mjaft pikëpyetje që do t’i rendis në fund të këtij shkrimi. Por nga ana tjetër kjo është rritja natyrale. Thjesht është rritur PBB (Produkti i Brendshëm Bruto) dhe për rrjedhojë dhe 1% është më shumë. Nuk është ndonjë rritje që përballon nevojat reale të bashkive në raporte me shumë përgjegjësi, detyra dhe funksione që bashkitë kanë.
Do të konsiderohej buxhet i rritur nëse do vinte nga vullneti qeverisë, p.sh. të dyfishohej transferta nga 1% në 2% e PBB-së. Kjo rritje do të shënonte një hap shumë të mirë dhe shpresëdhënës për qytetarët, por edhe për bashkinë si institucion kushtetues që ka detyrimin t’u shërbejnë qytetarëve, duke u rritur prestigjin dhe besimin si institucionet shërbyese më pranë qytetarëve.
Pra në një vështrim të përgjithshëm ky buxhet në këtë volum, do të jetë një “buxhet institucional”, pra buxhet për të mbajtur institucionet vendore, me organigramën dhe burimet njerëzore dhe me kostot respektive etj. Ndërsa qeveria jep për pushtetin vendor mjete financiare apo siç mund ta përkufizojmë “buxhet për shërbimet dhe funksionet”.
Ligji këto i trajton, si transferta sektoriale që edhe pse ka një rritje të lehtë krahasuar me vitin e kaluar, sërish nuk do kemi rrugë rurale të përmirësuara, pyjet dhe kullotat do jenë në mëshirë të fatit nga natyra, vaditja dhe kullimi po kështu, mbrojtja nga zjarri etj.
E them këtë kundër dëshirës time, por bazuar në këto shifra: buxheti për mbrojtjen nga zjarri është 1.452.479 lekë; për mbrojtjen sociale 136.237 lekë; për administrimin e pyjeve 429.287 lekë; për rrugët rurale 580.368 lekë; për vaditje dhe kullim 993.822 lekë; për menaxhim mbetjesh për disa bashkive është 700.000 lekë.
Në një analizë të thjeshtë këto buxhete mbulojnë këto funksione, por ama mbulojnë së shumti shpenzimet administrative dhe jo shpenzime për shërbime dhe investime në këto funksione, pra ky volum buxhetor bie ndesh me parimin “e mjaftueshmerisë” financiare për të realizuar brenda një standardi optimal shërbimin. Por buxheti duhet të jetë për qytetarët dhe shërbime më të mira për to.
Por edhe nëse konsiderojmë pozitive buxhetin për “institucionin” dhe buxhetin për “funksionin” në shifrat që treguam më sipër, buxheti 2023 ka një mungesë tjetër. Këtu mungon buxheti programor dhe zhvillimor për fusha prioritare, qoftë në zona urbane qoftë në zona rurale, ku dhe nevoja është tepër e madhe, qoftë për bashkitë të mëdha qoftë për bashki të vogla apo bashki me nivel të ulët ekonomik.
Thelbi i një buxheti qëndron mbi aftësitë e tij për të siguruar investime dhe zhvillime në programet më jetike për ekonomin lokale si: bujqësia, agroturizmi, punësimi i të rinjve, programe që ndikojnë në uljen e varfërisë dhe mundësojnë frenimin e shpopullimin.
Por buxheti i vitit 2023 për 61 bashkitë dhe 12 qarqet meriton shumë më shumë vëmendje. Meriton vëmendje për t’i trajtuar qytetarët me dinjitet, si qytetarë europian dhe institucionet me kulturën administrative europiane.
Për këto arsye, politik bërësit qendrorë dhe vendorë duhet të rrisin ndjeshmërinë dhe përgjegjshmërinë e tyre. Sidomos nga vendorët kërkohet më shumë reagim sesa “pajtim” me faktin se ju kemi dhënë më shumë!
Buxheti është i qytetarëve. Ndaj dua të nxis debatin nëpërmjet disa pyetjeve në mbyllje të këtij shkrimi.
1- Pse mungon vullneti që buxheti për pushtetin vendorë të rritet nga 1-1,5 ose 2% ? Pse bashkitë shqiptare janë më të nënfinancuara në krahasim me vendet e rajonit?
2– Para dy vitesh qeveria zeroi tatimin mbi biznesin e vogël që e përfitonin bashkitë. Ligji 68/2017 për financat vendore përcakton se kur ndërhyn qeveria në sistemin e taksave dhe preket pushteti vendorë atëherë ligji detyron qeverinë të kompensojë bashkitë për këto të ardhura të munguara. A ka ndodhur ky kompensim?
3- Para 3-4 vitesh u premtua se bashkitë do të përfitojnë të ardhura nga tatimi mbi të ardhurat personale. Si dhe pse nuk po funksionon? Çfarë volumi zë në këtë buxhet këto të ardhura?
4- Të 61 bashkitë janë mikse, urbane dhe rurale. Nga buxheti sektorial qartë duket se zhvillimi rural dhe sektori bujqësisë që përbën 25% të PBB kombëtare nuk është në axhendë. A duhet të ishte prioritet lokal, rajonal dhe kombëtare?
5- A merr në konsideratë ky buxhet borxhet e bashkive? Po detyrimet ndaj OSHEE-s?
6- A duhet të kishte evidenca mbi fondet e pakushtëzuara dhe buxheti potencial që ka Fondi Shqiptarë i Zhvillimit për projektet e bashkive?
/Agron Haxhimali, ekspert i çështjeve vendore /monitor