Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja, Vjosa Osmani, kanë qenë këtë të enjte në Francë me ftesë të Emmanuel Macron për forumin e Paqes. Në një njoftim për mediat sociale, Kurti bën me dije se me Macron kanë biseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve, dialogun Kosovë-Serbi dhe për tensionet në Veri.
Po ashtu kreu i qeverisë shton se ‘Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme’.
Postimi i plotë i Albin Kurtit:
Në Pallatin Élysee u pritëm nga Presidenti i Republikës franceze, Emmanuel Macron. Në takimin e përbashkët me Presidenten Osmani, biseduam për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit. Potencuam se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.
Theksuam se Republika e Kosovës është partnere e besueshme e Republikës së Francës dhe aleatëve të tjerë euroatlantik. Falënderuam Presidentin Macron për angazhimin e Francës, në bashkëpunim me Gjermaninë, për dinamizimin e procesit të dialogut dhe ritheksuam përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë proces, të bazuar në ruajtjen e rendit kushtetues, sovranitetit, integritetit territorial e marrëdhënieve të mira fqinjësore./btvnews.al