E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Zgjedhjet në SHBA, demokratët ruajnë kontrollin e Senatit

Në Shtetet e Bashkuara, demokratët arritën të mbajnë kontrollin e Senatit pasi Senatorja Catherine Cortez Masto fitoi rizgjedhjen në Nevada. Kjo është një fitore të rëndësishme për Presidentin Joe Biden, i cili shprehu kënaqësinë për rezultatin. Republikanët mbeten pranë marrjes së kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, ndërsa zyrtarët vazhdojnë numërimin e votave pas zgjedhjeve për Kongresin të së martës.

Demokratët arritën të mbajnë kontrollin e Senatit, duke zmbrapsur kështu përpjekjet e republikanëve për të marrë shumicën dhe duke ua bërë atyre më të vështirë pengimin e programit të Presidentit Biden. Vetë zoti Biden tha se ishte jashtëzakonisht i kënaqur nga rezultati.

“Urime Senatorit Schumer, pasi ka shumicën sërish dhe tani po përqëndrohemi në Xhorxhia. Ndjehemi mirë për situatën dhe ju e dini që unë jam optimist i madh dhe nuk më befasoi rezultati. Jam jashtëzakonisht i kënaqur nga pjesëmarrja, e cila mendoj se reflekton cilësinë e kandidatëve tanë dhe programit të njëjtë me të cilin po kandidojnë… Pra ndjehem mirë dhe jam optimist për dy vitet në vazhdim”, tha Presidenti Biden.

E ardhmja e Dhomës së Përfaqësuesve mbetet ende e paqartë ndërsa Partia Republikane po përpiqet të arrijë një shumicë me diferencë të ngushtë.

Fitorja e Senatores Catherine Cortez Masto në Nevada ndaj republikanit Adam Laxalt, një ish-prokuror i përgjithshëm i shtetit, që kishte mbështetjen e ish-presidentit Donald Trump, u dha demokratëve 50 vendet që iu nevojiten për të ruajtur kontrollin e Senatit.

Fitorja e saj reflekton fuqinë befasuese të demokratëve në zgjedhjet e këtij viti në Shtetet e Bashkuara.

Zonja Masto konsiderohej ndër senatorët më të rrezikuar pasi po rikandidonte në një shtet në vështirësi ekonomike, ku çmimet e karburantit janë nga më të lartat në Shtetet e Bashkuara. Kjo ka shtuar zhgënjimin e republikanëve që kishin besimin se ajo do të mundej.

Kreu i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer shpalli fitoren mbrëmjen e së shtunës duke shkruajtur në Twitter: “Shumica juaj demokrate në Senat!”.

“Demokratët në Senat patën disa arritje gjatë dy viteve të para të presidencës Biden. Ata miratuan Ligjin për Investimet në Infrastrukturë. Ata miratuan Ligjin për Uljen e Inflacionit, për masat lehtësuese për COVID-in, ndihmën për Ukrainën. Këto të gjitha janë konsideruar arritje nga demokratët”, thotë Lisa Mascaro, nga agjencia e lajmeve Associated Press.

Me rezultatet në Nevada tashmë të përcaktuara, Xhorxhia është i vetmi shtet ku të dyja palët janë ende në garë për një vend në Senat.

Senatori aktual demokrat Raphael Warnock do të përballet me sfiduesin republikan Herschel Walker në balotazhin e 6 dhjetorit.

Gara për Senatin në Alaska vazhdon, megjithëse vendi do të qëndrojë në duart e republikanëve.

Kontrolli i Senatit nga demokratët siguron një proces më të qetë për emërimet në kabinetin e Presidentit Biden dhe ato në gjyqësor, përfshirë emërimet për vakanca të mundshme në Gjykatën e Lartë.

“Presidenti Biden ka punuar për të emëruar gjithnjë e më shumë gjykatës. Dhe sigurisht, ai emëroi anëtaren e parë afrikano-amerikane të Gjykatës së Lartë, Ketanji Brown Jackson. Dhe Joe Biden po përpiqet të emërojë të tjerë gjykatës, me prejardhje diverse, në mbarë sistemin federal të gjyqësorit amerikan”, thotë zonja Mascaro.

Partia Demokrate gjithashtu do të ruajë kontrollin mbi komisionet dhe do të ketë fuqinë për të kryer hetime ose mbikëqyrje të administratës së Presidentit Biden, si dhe do të jetë në gjendje të refuzojë projektligjet e dërguara nga Dhoma e Përfaqësuesve, nëse Partia Republikane fiton shumicën në atë dhomë./Zëri i Amerikës

Artikuj te ngjashem

Me te fundit