E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Britaninë e Madhe publikon shifrat rekord, 972 emigrantë kaluan ilegalisht me gomone vetëm gjatë fundjavës! Veçohen shqiptarët dhe afganët

Numri i emigrantëve që kalojnë Kanalin Anglez për të mbërritur në Britani të Madhe ka arritur deri më tash këtë vit në më shumë se 40.000, tha Ministria britanike e Mbrojtjes.

Sipas shifrave të saj, 972 njerëz, me 22 varka, kanë kaluar kanalin vetëm të shtunën, duke çuar totalin në 40.885.

Ministria e Mbrojtjes tha se shifra është rekorde dhe veçoi imigrantët shqiptarë, iranianë dhe ata afganë.

“Gjatë gjithë vitit të kaluar janë regjistruar 28.526 kalime të kanalit – shifër edhe kjo rekorde për kohën”, tha ministria.

Shifrat në rritje vënë presion mbi Qeverinë britanike, pasi Partia Konservatore në pushtet e ka bërë trajtimin e imigracionit prioritet kryesor të sajin.

Çështja është bërë, po ashtu, shkak tensionesh me Francën, nga ku nis Kanali Anglez.

Dy vendet janë duke bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje.

Ato nënshkruan mëngjesin e së hënës një marrëveshje me vlerë prej 72.2 milionë eurosh, për forcimin e kontrolleve policore.

Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, priti homologen e tij britanike, Suella Braverman, në Paris, për nënshkrimin e marrëveshjes.

“Është në interesin e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe asaj franceze që të punojnë së bashku për ta zgjidhur këtë problem kompleks”, tha Braverman në një deklaratë pas takimit.

Braverman, ditë më parë, e ka cilësuar fluksin e imigrantëve që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar si “pushtim”.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se komentet e tilla janë “të tmerrshme”.

Mediat në Britani kanë raportuar të shtunën për një protestë të komunitetit shqiptar në Londër kundër komenteve të ministres Braverman. /REL

Artikuj te ngjashem

Me te fundit