Kombëtarja shqiptare ka përmbyllur ditën e sotme përgatitje për ndeshjen e nesërme ndaj Italisë, me listën kuqezi që ka pasur ndryshime për shkak të dëmtimit të sulmuesit Kristal Abazaj që nuk ja ka dalë të rikuperohet dhe nuk do të jetë në dispozicion të stafit teknik për ndeshjen e nesërme, por as për atë të së shtunës ndaj Armenisë në “Air Albania Stadium”.
Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se Abazaj ka shfaqur probleme fizike dhe i është nënshtruar analizave të detajuara nga stafi mjekësor i Kombëtares. Nga vlerësimi që është bërë ka rezultuar se rikuperimi i tij ishte i pamundur duke pamundësuar pjesëmarrjen e tij në ndeshjen kundër Italisë.
Skuadra ndërkohë ka zhvilluar një seancë të plotë stërvitore me trajnerin Reja që ka provuar formacionin për ndeshjen e nesërme, me Shqipërinë që do të zbresë në orën 20:45 në fushën e blertë të “Air Albania Stadium” të tejmbushur, duke parë që tashmë janë shitur të 22 mijë biletat e kësaj ndeshjeje./btvnews.al