Policia e Dibrës ka finalizuar këtë të martë operacionin e koduar “Border” dhe ka arrestuar 4 persona. Në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Prokurorinë e Dibrës, unformat blu kanë goditur një grup që trafikonte bagëti të imta nga Maqedonia e Veriut drejt Dibrës.
Autoritetet bëjnë me dije se pas hetimit disamujor, kanë zbuluar se: D.E. 30 vjeç, A. D. 34 vjeç, B. Z., 27 vjeç dhe N. Z. 34 vjeç, të gjithë banues në Dibër prej kohësh trafikonin bagëti.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin bagëtitë e imëta dhe të trasha, në Maqedoninë e Veriut, i kalonin ato në drejtim të Shqipërisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, në Bllatë, i mbanin fillimisht në stallat e tyre dhe më pas i shisnin kundrejt shumave të ndryshme monetare”, sqaron policia.
Më tej bëhet me dije se gjatë kontrollit të ushtruar në stallat në pronësi të këtyre shtetasve, u gjetën 64 krerë bagëti të imëta dhe të trasha, të pamatrikulluara, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u bllokuan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin furgon që shërbente për transportimin e tyre.
Në vijim të hetimeve janë dokumentuar me prova ligjore 5 raste të kontrabandimit të bagëtive, të kryera nga këta shtetas.
Tashmë hetimet do të vijojnë nga Prokuroria e Dibrës për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Transportimi, tregëtimi i mallrave që janë kontrabandë” , të kryera në bashkëpunim./btvnews.al