Policia e Tiranës ka publikuar ditën e sotme planin e masave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes miqësore të futbollit midis Shqipërisë dhe Italisë, ndeshje e cila do të zhvillohet në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.
Masat e marra nga Policia e Tiranës përfshijnë jo vetëm ambientet e stadiumit, por edhe perimetrin jashtë tij.
Policia njofton se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore gjatë kalimit të tifozëve, nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit, konkretisht do të bllokohen:
– rruga “Lekë Dukagjini”, përreth stadiumit; rruga “Dervish Hima”; rruga “Gjergj Filipi”; rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Po ashtu dhe në sheshin “Nënë Tereza” nuk do të ketë bllokime të lëvizjes.
Policia do të garantojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të përcaktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete, në segmentet rrugore të lartpërmendura, nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit.
Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë, lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Nuk do të lejohen të futen në stadium, persona të papajisur me dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, të pashoqëruar nga prindi apo kujdestari.
Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium tifozët, që në aktivitete të mëparshme sportive, janë të identifikuar nga Policia, si problematikë./btvnews.al