E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Plagosi aksidentalisht një 15-vjeçar dhe fshehu armën e krimit, vihet në pranga i riu në Dibër

Policia e Dibrës ka vënë në pranga një 21-vjeçar, pasi akuzohet se ka plagosur me armë zjarri një 15-vjeçar.

Në një njoftim për mediat, policia bën me dije se nga hetimet rezultoi se shtetasi K. V., 21 vjeç, mbi fshatin Ceren, në njësinë administrative Kala e Dodës, dyshohet se ka plagosur aksidentalisht me armë zjarri 15-vjecarin, banues në fshatin Ceren, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas uniformave blu, 21-vjecari ka fshehur në një shkëmb mbi fshatin Ceren, dy armë zjarri, kallashnikov dhe pushkë (me njërën nga të cilat dyshohet se ka plagosur 15-vjeçarin), si dhe një sasi municioni luftarak.

Pasi kanë zbuluar së kush është autori i dyshuar, efektivët kanë vënë në pranga 21-vjeçarin, i cili akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve u referuan materialet në prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasin A. L., 21 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka qenë i pranishëm gjatë ngjarjes, por nuk ka kallëzuar krimin./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit