Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në inaugurimin e rikonstruksionit të Spitalit Infektiv në Tiranë.
Në fjalën e tij, Rama tha se investime të tilla do të vazhdojnë dhe premtoi se brenda mandatit të tretë do të arrihet rritja 100% e pagës së mjekëve.
Ajo që do të shtoja në fjalët e ministres është që ambicia jonë është që brenda këtij mandati ta çojmë në 100% rritjen e pagës në raport me pikënisjen. Me buxhetin e ri shkojmë në 70%, me ndihmën e Zotit që mos të na sjellë ndonjë tjetër katastrofë që të na detyrojë përsëri që të spostojmë fonde të dedikuara për qëllime të caktuara. Jam i bindur që do të arrijmë ta çojmë në 100% rritjen e pagës për të gjithë ju dhe për të gjithë ata që nuk janë këtu, por që shërbejnë në këtë kompleks.
Ashtu sikundër, për ta mbyllur, investimet do të vijojnë edhe në territore të tjera, që nga Dibra deri poshtë në Gjirokastër, nga Lezha dhe më tutje në zona të tjera për ta përmbyllur të gjithë mozaikun e infrastrukturës së shëndetësisë dhe për ta transformuar atë tërësisht.
Ne e dimë shumë mirë që kjo nuk mjafton. Na duhet të ecim tani me autonominë spitalore. Modeli i parë i cili do t’i hapë rrugën shtrirjes së autonomisë për të bërë të mundur rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve sipas performancës, në mënyrë që kush punon më shumë dhe kush ofron më shumë në dispozicion të shërbimit kombëtar shëndetësor të fitojë edhe më shumë sesa paga tavan. Kjo është ambicia për periudhën në vijim”, tha Rama./btvnews.al